Mungesa e transportit publik në Kumanovë, Dimitrievski: Nëse kompanitë transportuese i plotësojnë kushtet, problemi do të zgjidhet

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në emisionin “Studio 10” në TV 24, sot ka folur për mungesën e transportit publik në Komunën e Kumanovës, pasi që siç tha, kompanitë transportuese nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme, raporton Portalb.mk.

“Problemi është nga pikëpamja e biznesit, ne kemi një numër të madh transportuesish që operojnë në qytet prej vitesh, të cilat nga kompani shumë të vogla për shkak të shërbimit, transportit, transportit publik dhe transportit të nxënësve janë ndërtuar në kompani me kapitale serioze. Komuna për një kohë të gjatë u ka njoftuar të gjithë atyre transportuesve që të kryejnë transportin publik të bëjnë investime dhe të blejnë automjete të reja. Në procedurën e fundit tenderuese kemi vendosur kushte që automjetet transportuese të jenë minimum euro 4 (katalizator për ruajtjen e cilësisë së ajrit), sepse shëndeti i qytetarëve dhe cilësia e shërbimit të paguar kryesisht nga qytetarët dhe komuna duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, sipas kushteve, nuk kemi hasur në mirëkuptim dhe tentuan ne procedurën thjeshtë të udhëheqin një lloj lufte të fshehtë me komunën”, tha kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në emisionin “Studio 10” në TV 24.

Megjithatë, Dimitrievski beson se çështja do të zgjidhet, nëse transportuesit i plotësojnë kërkesat ekologjike.

“Ne mbetëm imun ndaj kësaj dhe qëndruam në pozicionet tona. Sot kemi apeluar, mendoj gjashtë apo shtatë procedura për transportin publik, besoj se në të ardhmen do të zgjidhet dhe më pas mbeten instrumentet e komunës për të kontrolluar cilësinë e automjeteve që kryejnë transportin publik, nëse plotësojnë kërkesat ekologjike, qofshin ato automjete me platforma të ulëta siç parashikon ligji dhe rregullorja, qytetarët duhet të kenë shërbim më të mirë,” shtoi Dimitrievski.

Rikujtojmë se Portalb.mk paraprakisht ka alarmuar për mungesën e transportit publik në qytetin e Kumanovës, ku qytetarët e kësaj komune janë ankuar se po dëmtohen financiarisht pasi në vend që të udhëtojnë me autobus, detyrohen të udhëtojnë me automjete personale ose me taksi që u kushton shumëfish më shtrenjtë. Kjo mungesë e transportit publik në Kumanovë ishte për shkak se, kompanive transportuese u kishin skaduar licencat për transport komunal.

Komuna e Kumanovës ka gjithsej 25 linja të autobusëve, ata transportojnë brenda qytetit dhe disa prej fshatrave përreth. Për dallim prej Qytetit të Shkupit, i cili ka Ndërmarrje Publike për Transport, Komuna e Kumanovës transportin publik e organizon nëpërmjet kompanive private. Sipas Komunës, transportin publik e shfrytëzojnë mbi 15.000 qytetarë, prej tyre 5.000 nxënës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button