Kovaçevski: Kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së, nuk bëjnë asgjë, vetëm kërkojnë para

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së nuk kanë bërë asgjë në 100 ditët e para të mandatit. Në pyetjen e gazetarëve se si do ta vlerësonte raportimin e djeshëm të Hristijan Mickoskit për 100 ditët e kryetarëve të komunave nga VMRO-DPMNE, ai tha se ata vetëm kanë kërkuar ndihmë dhe nuk kanë bërë asgjë për qytetarët, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.

“Në komuna nuk po bëhet asgjë. Unë jetoj në Shkup dhe shoh që ajo që është premtuar në fushatë nuk realizohet fare. E vetmja gjë që shohim janë kërkesat për ndihmë, por nga ana tjetër nuk ka asnjë iniciativë që kryetarët e komunave të përfshihen në menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjetike. Ata duhet të kuptojnë se janë pushtet dhe i kanë bërë buxhetet duke e ditur që është krizë. Megjithatë, ata nuk parashikuan ndonjë program për menaxhimin e krizave. Krahas kësaj, kërkesat për ndihmë vijnë nga një parti e cila në vend që t’i ndihmojë qytetarët, gjatë gjithë ditës regjistron video të shtrenjta për projektet që i kanë filluar kryetarët e LSDM-së ose që nuk ekzistojnë fare”, tha Kovaçevski, i cili ishte duke krasitur një vresht në Goce Dellçev afër Rosomanit, me rastin e festës së Shën Trifonit.

VMRO-DPMNE dje në sallën e Filarmonisë mbajti llogaridhënie për punën e kryetarëve të komunave në 100 ditët e para, ku fjalim mbajti lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur pothuajse në tërë Shkupin nuk ka pasur energji elektrike për shkak të ndërprerjes së transmisionit të MEPSO-s për shkak të zjarrit të madh në vendbanimit Pinti të Shkupit. VMRO-DPMNE ka dërguar një deklaratë ku akuzon qeverinë se me qëllim e ka fikur rrymën në kohën kur Mickoski ka folur.

“Pikërisht në momentet kur lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski jepte llogari për punën e bërë në njëqind ditët e para, në objektin e Filarmonisë së Maqedonisë nuk kishte rrymë. Mickoski vazhdoi me raportin dhe në kushtet e mungesës së energjisë elektrike me fjalën e tij. Qeveria e LSDM BDI-së duhet të ketë përgjigje dhe përgjegjësi pse nuk ka rrymë? “, thuhet në komunikatën e partisë së VMRO-DPMNE.

Mickoski tha se kryetarët e tij në 100 ditë kanë realizuar 1099 projekte, nga të cilat janë ndërtuar dhe rindërtuar 166 objekte kapitale, 33 kopshte, 68 shkolla dhe 206 rrugë dhe rrugica, 96 kënde lojërash, 111 ujësjellës-kanalizime dhe kanë pastruar 200 deponi ilegale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button