Gazifikimi në Pollog, ka mbetur për t’u ndërtuar edhe 1.5 km rrjet

Ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit për në Tetovë dhe Gostivar nga pjesa e Shkupit premtohet nga viti 2017. Sot që po flasim, ky  aks i transmisionit të gazit, me gjatësi  rreth 88 kilometra, në pjesën e Pollogut ka mbetur për t’u ndërtuar edhe rreth 1.5 kilometra, me saktësisht në afërsi të fshatit Cajle dhe Forinë, pjesa tjetër në Pollog ka mbaruar, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Resurseve Energjike në RMV, Bajram Rexhepi për Portalb.mk tha se në të gjithë këtë aks kanë mbetur për t’u ndërtuar edhe rreth 6-7 kilometra, një pjesë në Gllumovë dhe një pjesë në Sopishtë.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që këto pjesë të mbarojnë deri këtë verë. Në teren punohet në vazhdimësi, por problemi më i madh është eksproprijimi dhe këtë procedurë realizon drejtoria pronësoro-juridike. Në këtë periudhë janë ndërtuar pjesët më të vështira : pjesa mbi fshatrat Sopishtë dhe Semenishtë, në akset afër fshatrave Haraqinë, Hasanbeg dhe Miletinë dhe janë ndërtuar të dy stacionet matëse dhe rregulluese në Tetovë dhe në Gostivar”, tha Rexhepi.

Gazsjellësi Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gazsjellësi Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për atë se kur do të fillojë transmetimi i gazit, Rexhepi tha se janë të përkushtuar maksimalisht që të tre akset që janë në ndërtim e sipër me gjatësi rreth 278 kilometra ,të lëshohen në përdorim këtë vit.

Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

“Duhet të kemi parasysh se këto janë projekte tejet komplekse dhe ne akoma jemi në periudhë pandemie, prandaj nuk e di nëse do të mund t’u përmbahemi planeve tona në paprekshmëri dhe të bëjmë parashikime  të sakta. Pas përfundimit të punimeve ndërtimore, pason faza e testimeve, certifikimeve dhe marrjes së lejeve të përdorimit. Në të gjitha këto faza angazhohen një numër i madh njerëzish nga shumë institucione, që janë shumë ngushtë të lidhura me njëra tjetrën. Nga përvoja, sidomos në periudhën e pandemisë, por edhe për shkaqe të tjera, ka ngecje, dhe ne mundohemi që të minimizojmë këto ngecje. Pra, jo gjithçka varet nga ne. Por, e them me optimizëm se do ja dalim, sepse jemi nga fundi i realizimit”, tha Rexhepi.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, javën e kaluar në Tetovë tha se negociatat për distribucionin e gazit janë në faze finale me dy kompani turke, ku deri në mes të këtij viti do të ketë marrëveshje me njërën prej tyre.

Kreshnik Bekteshi
Kreshnik Bekteshi

“Sa i përket projektit për partneritet publiko privat për zhvillimin e rrjetit të distribucionit për shpërndarjen e gazit natyror, pra edhe për amvisëritë edhe në përgjithësi, kemi hyrë në fazën finale të negociatave të cilat bëhen nga komisioni i krijuar nga ana e Qeverisë. Diku deri në mes të këtij viti do të përfundojnë dhe do të kemi marrëveshje me njërin nga parterët privat të cilët kanë shprehur interes dhe janë dy kompani turke të cilat i kemi shpallur për opinionin paraprakisht. Njëra është Aksa Energy dhe tjetra është Palmet Energy”, tha Bekteshi.

Ndërkaq për këtë drejtori i Resurseve Energjike tha se kjo procedurë është në fazën e dialogut konkurrues.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet që të përfundojë deri nga gushti i këtij viti. Pra, nga vjeshta e këtij viti pritet që Qeveria të nënshkruaj marrëveshjen me partnerët privat, për financimin , ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të distribuimit”, tha Rexhepi.

Gazsjellësi Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gazsjellësi Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas Rexhepit, Komunat nuk do të kenë asnjë obligim lidhur me financimin apo ndërtimin e rrjetit të distribuimit. E vetmja që duhet të bëjnë, është që të përshpejtojnë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Ndryshe, nga Qeveria e RMV-së kishin siguruar 90 milion euro për 204 kilometra rrjet të gazsjellësit. Eko aktivistët vazhdimisht kanë bë thirrje për sjelljen e gazit natyror në rajonin e Pollogut, marrë parasysh se ishte një ndër rajonet më të ndotura në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button