Tetovë, Shkolla Fillore “Naim Frashëri” mohon se ka mësues të infektuar që japin mësim me prezencë fizike

Qytetarët ankohen se në shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Tetovë ka arsimtarë të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe vazhdojnë të shkojnë në shkollë dhe të japin mësim me prezencë. Drejtori i kësaj shkolle thotë se këto janë dezinformata pasi vetëm dy arsimtarë janë pozitiv dhe ata mbajnë mësimin online, të njëjtën pohuan edhe nga Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Në redaksinë e Portalb.mk arritën ankesa  se në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë ka arsimtarë të cilët janë pozitiv me Covid-19 dhe vazhdojnë të shkojnë në punë me prezencë.

“Situata alarmante në shkollën fillore “Naim Frashëri”, 90% e mësimdhënësve pozitiv Covid, askush nuk ndërmerr masa për ndalimin e procesit arsimor, vazhdojnë me teste pozitive të japin mësim”, tha një qytetar për Portalb.mk.

Drejtori Xhelal Alili për Portalb.mk tha se këto janë dezinformata.

“Dezinformatë është, dy arsimtarë janë me Covid, nga 115 gjithësej që jemi këtu. Ajo është dezinformatë, unë ju kam shkruar në grup që të kenë kujdes. Komplet është dezinoformatë se është numri i madh i arsimtarëve. Nuk ka nxënës, nuk kam informatë se ka nxënës. Janë vetëm dy arsimtarë, ata e mbajnë mësimin online me Teams, nuk vijnë në shkollë”, tha drejtori Alili.

Pyetëm edhe një nga arsimtarët e kësaj shkolle dhe na konfirmoi të njëjtën.

“Sot na lajmëroi drejtori se ka dy koleg të infektuar, por nuk kanë ardhur në shkollë. Për nxënës nuk e di se bëhet fjalë por ka që mungojnë”, tha një mësimdhënës.

Edhe nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se bëhet fjalë vetëm për dy arsimtarë.

“Sa i përket pyetjes suaj, dy arsimtarë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, shkolla i ndjek protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje ngjitëse dhe procesi edukativo arsimor nga dy arsimtarët e infektuar zhvillohet online”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, dje në Tetovë u regjistruan 35 raste të reja me Covid-19 ndërsa numri i rasteve aktive në këtë qytet është  416.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button