Shaqiri: Nuk kemi përfitime nga greva, po shqyrtohen disa mundësi për rritje të pagave

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri thotë se është i hapur për komunikim me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) për kërkesën e tyre për rritjen e pagave të mësimdhënësve. Duke porositur se nuk ka përfitime nga mbajtja e grevës, Shaqiri sot deklaroi se insiston në komunikim të drejtpërdrejtë me SASHK-un që të mos vijë deri te greva, transmeton Portalb.mk.

“Javën e kaluar kam pasur takim me kryetarin dhe dy përfaqësues të SAShK-ut, ndërsa në fund të javës do të realizoj një takim tjetër ku do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave, jemi të hapur për komunikim dhe në periudhë sa më të shpejtë do t’i përgjigjemi këtij procesi shumë të rëndësishëm”, njoftoi Shaqiri lidhur me kërkesën për pagë më të lartë për mësimdhënësit, pas rritjes së pagës minimale.

“Jemi të hapur për komunikim. Këtë javë përsëri do të realizoj takim, ndërsa në atë takim përveç Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Financave. Mund të jetë deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, tha Shaqiri sot në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve para fillimit të ngjarjes për avancimin e arsimit të mesëm profesional.

Ai theksoi se janë duke u shqyrtuar disa mundësi në lidhje me procesin e rritjes së pagave dhe përkujtoi se Ligji për arsimtarët është në procedurë parlamentare, ku përfshihet edhe rritja e pagave.

“Do të jemi të hapur, mendoj se sa më shpejtë, deri në mars kemi lënë një periudhë kur do të japim përgjigje për këtë proces shumë të rëndësishëm”, shtoi ministri i Arsimit.

Sa i përket paralajmërimeve për grevë nëse nuk plotësohet kërkesa për rritje të pagave, ministri konsideron se nuk kemi asnjë përfitim nga greva dhe për këtë, siç tha ai, insiston në komunikim të drejtpërdrejtë me SASHK-un që të mos ketë grevë.

“Mendoj se njoftimet janë për të shmangur grevën dhe për të arritur një marrëveshje për rritjen e pagave. Periudha e ardhshme është një periudhë kyçe për komunikim ndërmjet institucioneve të rëndësishme, por një proces shumë i rëndësishëm është pjesa financiare”, shtoi Shaqiri.

Ministri shtoi se nuk ka informacione se kur do të fillojë skriningu i nxënësve, megjithatë tha se procesi është në rrjedhë e sipër dhe me gjasë do të realizohet në periudhën e ardhshme.

“Nuk kemi informacion nga Ministria e Shëndetësisë, por ata bashkëpunojnë me Komisionin për Sëmundje Infektive. Sot ka një takim, me siguri në periudhën e ardhshme mund të organizojnë edhe skriningun. Nuk ka asnjë informacion se kur do të fillojë”, tha Shaqiri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ngjarjen me të cilën nis dialogun social me titull “Mëso në mënyrë të zgjuar dhe puno profesionalisht”.

Është e rëndësishme, thotë ai, është që procesi është në rrjedhë dhe që me komunikim të mirë, fëmijët menjëherë pas shfaqjes së simptomave nuk shkojnë në shkollë. Ai konsideron se kërkesa për shtyrjen e gjysmëvjetorit të dytë për dy javë tashmë ka kaluar.

“Tani jemi në fazën e dytë të procesit arsimor dhe mendoj se me një bashkëpunim të mirë të gjithë do të mund ta kalojmë variantin e ri të virusit dhe fundin e omikronit në vendin tonë”, tha Shaqiri.

Ndryshe, më 7 shkurt u arrit marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.

“80 mijë bashkëqytetarë tanë, punëtorë në industri të ndryshme, duke filluar nga paga e marsit do të marrin më së paku 18 mijë denarë. Kjo shumë, nënkupton rritje të pages neto për këta punëtorë për rreth 45 euro në muaj. Premtuam dhe realizuan masa që në mënyrë të drejtpërdrejtë e ndihmojnë standardin jetësor. Në vit të krizës së jashtëzakonshme, vit të krizave evropiane dhe botërore, mbetemi të fokusuar në mbështetje financiare të qytetarëve”, shkroi Kovaçevski në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button