Konflikti në Ukrainë: Kancelari gjerman Scholz shkon në Kiev dhe Moskë

Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi Rusinë për sanksione dhe i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të zbusë tensionet lidhur me Ukrainën. Scholz foli sot në prag të vizitave në Kiev dhe Moskë këtë javë. Gjermania është një nga vendet që u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton VOA.

Kancelari Scholz do të takohet nesër në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe të martën në Moskë me Presidentin Putin si pjesë e përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet.

“Është e nevojshme të shprehemi qartë, se në rast të një agresioni ushtarak kundër Ukrainës që do të kërcënonte integritetin e saj territorial dhe sovranitetin e saj, do të kishte reagime dhe sanksione të forta që ne i kemi përgatitur me kujdes me aleatët tanë në Evropë dhe në NATO dhe që mund të hyjnë në fuqi menjëherë, së bashku”, tha Scholz.

Scholz tha se ka “kërcënim shumë, shumë serioz” ndaj paqes dhe i bërë thirrje Rusisë të ule tensionet.

Kancelari gjerman ka thënë se duhen bërë gjitha përpjekjet për vazhdimin e bisedimeve.

Megjithatë një burim nga qeveria gjermane i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Berlini nuk pret “rezultate konkrete” nga bisedimet me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë zëvendës kancelari dhe ministri i ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, tha të dielën në një intervistë se Evropa mund të jetë në prag të luftës.

Habeck nuk dha detaje por iu referua grumbullimit masiv të forcave të armatosura të dy vendeve përballë njëra-tjetrës.

Scholz ka thënë vazhdimisht se Moska do të paguante një “çmim të lartë” në rast të një sulmi, por refuzimi i qeverisë së tij për të furnizuar Ukrainën me armë vdekjeprurëse ose për të përcaktuar se cilat sanksione do të mbështeste kundër Rusisë, janë kritikuar brenda dhe jashtë vendit dhe kanë ngjallur pikëpyetje në lidhje me vendosmërinë e Berlinit për t’i bërë ballë Rusisë.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri.  Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën.  Shumë vende u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kremlini ka kërkuar nga NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë zgjerohet me vendet ishsovjetike, Ukraina në këtë rast. Nga ana tjetër, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, anëtarët e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që kufizohen me Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button