Osmani në Zvicër fton mërgimtarët të votojnë për të

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani në vazhdën e takimeve të shumta me mërgimtarët shqiptarë në Zvicër, Austri dhe Itali argumentoi nevojën e ardhjes dhe votimit të mërgimtarëve në rrethin e dytë zgjedhor.

Sipas tij, kjo ardhje do të jetë një kontribut i rëndësishëm për parandalimin e falsifikimit dhe manipulimit të madh zgjedhor dhe do të parandalojë mbivotimin e vullnetit të shumicës shqiptare nga votat e blera nga komunitetet pakicë dhe nga shtresa të varfra sociale. 

Kryetari Osmani argumentoi se zgjedhjet e fundit lokale në të gjitha komunat shqiptare kanë qenë një demonstrim i paparë i një dhune të orkestruar politike të shoqëruar me blerje masive të votave, kërcënime fizike dhe dhunë psikike, si dhe prodefilim të grupimeve të shumta banditeske të cilët nën vëzhgimin pasiv të policisë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë kërcënime të shumta ndaj qytetarëve për të përkrahur kandidatët e BDI-së në rrethin e dytë zgjedhor.

“Vota e mërgimtarëve është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të parandaluar instalimin e mafisë politike në institucionet lokale komunale si kushti i parë i fitores së demokracisë dhe mposhtjes së dhunës politike”- thote Osmani.

Osmani mori përkrahje të fuqishme në takime të shumta me mërgimtarët. Ishte qëndrim unanim i shumicës dërmuese të mërgimtarëve që kjo dhunë e madhe politike duhet të ndëshkohet me votën e lirë, sepse zullumi politike e kësaj politike famëkeqe dhe ogurzeze duhet të ndalet me çdo kusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button