Biden-Putin bisedojnë sot mes tensioneve në rritje mbi Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë sot (e shtunë), një bisedë telefonike mes shqetësimeve në rritje për një pushtim të afër të Ukrainës nga Rusia, raporton VOA.

Uashingtoni thotë se ka marrë njoftime nga agjencitë e zbulimit se pushtimi mund të ndodhë të mërkurën.

Ambasada amerikane në Kiev ka nisur evakuimin e personelit të saj. Krahas kësaj, Departamenti i Shtetit ka lëshuar udhëzime mbi udhëtimet, duke paralajmëruar amerikanët të mos shkojnë në Ukrainë, për shkak të kërcënimeve të shtuara ndërsa ka këshilluar shtetasit amerikanë që ndodhen në këtë vend të largohen menjëherë.

Disa diplomatë amerikanë pritet të zhvendosen në pjesën perëndimore të Ukrainës, një masë që do t’i lejonte SHBA-ve të ruanin një prani diplomatike në këtë vend.

Përpara se dy udhëheqësit të bisedojnë të shtunën, zoti Putin do të bisedojë me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.

Po sot Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

Në nje deklaratë për shtyp të Departamentit të Shtetit thuhet se gjatë bisedës sekretari Blinken bëri të qartë se rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës mbetet e hapur, por kjo do të kërkonte që Moska të ulte tensionet e të angazhohej në bisedime me mirëbesim. Zoti Blinken përsëriti se nëse Moska ndjek rrugën e agresionit dhe pushton Ukrainën, kjo do të rezultonte në një përgjigje të vendosur, masive dhe të bashkuar, transatlantike.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare më Shtëpisë e Bardhë Jake Sullivan, tha të premten se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të nisë gjatë Lojrave Olimpike që mbahen në Pekin ose kur ta vendosë zoti Putin.

Shumë analistë kanë thënë se Moska nuk ka gjasa të kryejë ndonjë pushtim përpara Lojërave Olimpike Dimërore që të përfundojnë më 20 shkurt.

Rusia ka dislokuar tashmë mjaftueshëm forca në kufi me Ukrainën për të kryer një operacion të madh ushtarak tha zoti Sullivan, i cili shtoi se Rusia mund të pushtojë pjesë të rëndësishme të territorit të këtij vendi, duke përfshirë kryeqytetin.

Të premten, Presidenti Biden zhvilloi një video-telefonatë me udhëheqës botërorë për të diskutuar rreth krizës mbi Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button