Jugosllavia mund të shpërbëhej pa luftë po të mos ishte politika shoviniste e Millosheviqit, vlerësoi Mesiç

Ish-presidenti kroat dhe autori i librit “Si është rrënuar Jugosllavia”, Stipe Mesiq, ka përmendur ngjarjet që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe përballjet e tij për Kosovën me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq. Ai në takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, ka premtuar se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i kudondodhur në përkrahje të aspiratave integruese të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Kuvendi përmes një komunikatë, raporton Koha.net.

“Jugosllavia ka mundur të shpërbëhet pa luftë, por politika shoviniste e Millosheviqit ishte ajo që iu shkaktoi tragjedi popujve joserbë në këto hapësira. Ai mendonte se do të arrinte ta gënjente botën për “të drejtën serbe”, por gënjeu veten dhe serbët. Serbët vazhdojnë ta urrejnë Millosheviqin jo pse shkaktoi gjithë ato luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato”, tha ndër të tjera Mesiq.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit. Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

“Jeni gjithmonë i mirëpritur dhe Kosovën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj”, u shpreh kryetari Konjufca.

Ndërkohë, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar Mesiqin dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topin. Ajo shkurt në Facebook ka njoftuar për takimin.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur ish-presidentin kroat Stipe Mesiq në takim.

Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit të tyre.

Kryeparlamentari Konjufca, e ka çmuar lartë kontributin e ish-presidentit të Kroacisë për shtetësinë e Kosovës në të gjitha fazat e ndërtimit të saj.

Konjufca, tha se Kosova është me fat që ka një mik si Mesiqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button