Inspektorët kërkojnë që arseni në Llojan dhe Tabanoc të rrethohet dhe të vendosen tabela për paralajmërim

Pas shkrimeve, të Meta.mk dhe Portalb.mk, për rreziqet nga arseni i shpërndarë dhe mbetjeve tjera të lëndëve të para minerale në Llojan dhe Tabanoc, Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik (ISHIT) më 4 shkurt të këtij viti i ka inspektuar lokacionet e përmendura dhe ka konstatuar se mbeturinat në zonën e minierës “Llojan” dhe te deponia në stacionin hekurudhor në Tabanoc nuk janë të rrethuara dhe nuk janë vendosur tabela informuese për rrezik nga lëndët e para të magazinuara atje, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Inspektorati Shtetëror i Inspektimit Teknik do të ngarkojë koncesionerin ta rrethojë hapësirën dhe të vendosë tabela informuese. Njëkohësisht, Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor (ISHMJ) informon se pas kontrolleve, të realizuara më 12 dhe 14 shtator 2021, e kanë informuar Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për gjendjen faktike që e kanë konstatuar gjatë inspektimit, por deri në shkurt të këtij viti nuk kanë pranuar udhëzime për aktivitete të mëtejshme.

“Për shkak të ndikimit mbi shëndetin e njerëzve (njerëzit-receptorë të cilët jetojnë në afërsi të lokacionit) dhe mjedisin jetësor (mjedise: toka, uji dhe ajri) dëshirojmë t’ju informojmë për gjendjen e lokacioneve në stacionin hekurudhor Tabanoc dhe fshatin Vaksincë me mbetje të rrezikshme nga miniera “Llojan” që të ndërmerren masa urgjente brenda një kohë shumë të shkurtër, për pastrimin e mbetjeve të zgjyrës, me çka do të kufizohej ndikimi e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në njoftimin që ISHMJ ia ka dërguar Ministrisë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor në shtator të vitit të kaluar.

Njoftimi i dytë nga ISHMJ në shkurt të këtij viti, së bashku me njoftimin nga ISHIT, tashmë i është dërguar deri te Ministria e Ekonomisë. Pikërisht kjo ministri inicioi kërkesë deri te inspektoratet kompetente që të realizojnë kontroll dhe t’i ndërmarrin masat e duhura nëse konstatojnë mangësi në terren, pasi Meta.mk në dhjetor kishte shkruar për arsenin e shpërndarë dhe për mbeturinat tjera të lëndëve të para minerale në Tabanoc dhe Llojan.

Meta.mk e kontaktoi edhe koncesionerin – kompania turke “Kaltun Maddenxhilik”, prej ku morëm informacion se deri më tani kanë shitur vetëm rreth 60 tonelata nga sasia e parashikuar rreth 15.000 tonelata sulfur të arsenit të deponuar në zgjyrën e minierës “Llojan”. Nga kompania thanë se nuk e kanë për detyrë të shfrytëzojnë 1000 tonelata mbetje të zgjyrës në afërsi të Tabanocit, sepse ky lokacion nuk ka qenë i përfshirë në procedurën e  tenderimit.

Ndryshe, koncesioneri turk në gusht të vitit 2014 ka nënshkruar kontratë me Qeverinë, me të cilën parashihet shfrytëzim i resurseve minerare teknogjene në lokacionin “Llojan”. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se kontrata për koncesion me kompaninë është e vlefshme deri më 25 gusht 2024, pra deri në këtë periudhë ata mund të shfrytëzojnë arsenin dhe mbetjet e tjera.

Koncesioneri në përgjigjet që i dërgoi ka shpjeguar se ata kishin planifikuar ta shesin tërë materialin në Kinë, brenda 6 muajsh, prandaj edhe nuk kishin vendosur gardhe dhe tabela informuese rreth minierës “Llojan”.

“Plani ynë ishte që ta transportojmë materialin në Kinë ose Vietnam. Megjithatë, të dy vendet i mbyllën kufijtë e tyre për import të antimonit dhe tani, për shkak të kovidit, blerësit nuk mund t’i konfirmojnë porositë”, venë në pah nga kompania turke në përgjigjen e tyre.

Pyetjes sonë se pse nuk e mbulojnë me tokë mbetjet e minierës “Llojan” që mbetjet e rrezikshme të mos përhapen, të paktën në ajër, koncesionari u përgjigj se nëse arsenin dhe mbetjet e tjera minerale i mbulojnë me dhe, atëherë nuk do të mund të shfrytëzohen.

Ndryshe, Meta.mk dhe Portalb.mk, në dhjetor të vitit të kaluar, ishin në terren dhe konstatuan se dy lokacionet afër Tabanocit dhe Llojanit nuk janë të rrethuara dhe nuk janë vendosur tabela informative. Njëkohësisht, vetëm 100 metra linjë ajrore nga zgjyra është shkolla fillore “Rilindja”, ku mësimin e ndjekin nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut për të thithur arsen, ndërsa për dislokimin e mundshëm të nxënësve në objektet tjera në Llojan, Vaksincë apo Tabanoc, nga Komuna e Likovës na thënë se për momentin nuk ka mundësi që nxënësit të transferohen në ndonjë vend tjetër, sepse numri i nxënësve që e vijojnë mësimin në shkollat fillore është i madh.

Përveç problemit të madh me të cilin ballafaqohen nxënësit nga Llojani dhe Vaksinca, rrezik ka edhe në lokacionin e dytë afër Tabanocit. Është afër stacionit të trenit në Tabanoc dhe kampit të refugjatëve, kështu që afër këtij vendi ka një frekuencë të njerëzve të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet nga lënda ngjyrë portokalli që është e shpërndara rreth zonës së deponisë, pa rrethuar.

Meta.mk ishte dëshmitare derisa kafshë shtëpiake kullosnin në zonën e minierës “Llojan”, ndërsa pranë deponisë afër fshatit Tabanoc ka ara të mbjella me kultura bujqësore. Duhet theksuar se këto janë vendbanime ku një pjesë e madhe e popullsisë merret me bujqësi, por ka edhe përqindje jashtëzakonisht të madhe të papunësisë.

Problemi me arsenin në fshatin Tabanoc mund të jetë edhe më i tmerrshëm në të ardhmen, sepse në afërsi të deponisë do të ndërtohet një pikë e përbashkët kufitare hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë lokacion duhet të akomodohen punëtorët hekurudhor, shërbimet policore, doganat, shërbimet fitosanitare e të dy vendeve, por edhe i një numri të madh qytetarët për të cilët kjo pikë do të duhet të shërbejë si vendkalimi për hyrje dhe dalje nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button