Nuk është e vërtetë se vaksina, maskat, karantinat nuk funksionojnë

Në rrjetet sociale vazhdojnë të përhapen të pavërteta rreth pandemisë globale COVID 19. Pasojat e dezinformimit përveç se të rrezikshme për qytetarët, në raste të caktuara mundet të jenë dhe fatale. Gjatë këtyre gati 2 vite luftë me pandeminë, njerëzimi ka mësuar shumë sidomos mbi rëndësinë e shkencës dhe mjekësisë. Është shumë e rëndësishme që kohë krize të merren parasysh këshillat e ekspertëve dhe jo personave pa emër që shpërndajnë huti dhe kaos nëpër rrjetet sociale, shkruan Portalb.mk

Përmbajtje shqetësuese, me disa të pavërteta dhe thirrje që mos besohet në shkencë është qarkullon në rrjetet sociale. Postimi që recensojmë është shpërndarë në rrjetin social “Facebook” nga faqja me emrin “Rezistenca”.

“Mos harroni ne jemi shumica nëpër botë dhe jo delet që janë shpuar dhe besojnë “shkencën”, ne e dimë që jemi nën kontroll të vetes dhe jo të qeverive, ne jemi sovran, fuqia jemi ne. Vaksinimi i detyruar dhe masat po hiqen në shumë vende (për momentin), pavarësisht kësaj kjo do të thotë që ata luajnë me ne si të duan. Këtu në Shqipëri akoma nuk e kuptoj pse qëndrojnë në fuqi masat (dhe pse kemi qenë të lirë), as atë orarin 23:00 që mbyllemi nuk e kuptoj, normal se është e pallogjikshme. “Ekspertët” dhe media vazhdojnë të thonë gjepura pavarësisht se faktet kanë treguar se vaksina, maskat, karantinat nuk funksionojnë”, thuhet në postim.

Bota po heq kufizimet duke u bazuar në rekomandimet shkencore

Është e vërtetë se shumë vende të botës, veçanërisht disa shtete të Evropës dhe SHBA-ve, kanë lehtësuar kufizimet në luftën kundër COVID19. Megjithatë, ajo që nuk theksohet në postimin që recensojmë është se shumë vende të botës vendimin për tu kthyer në jetën normale e kanë marrë duke u bazuar në shkallën e imunizimit të popullsisë së tyre dhe sigurinë që kanë në kapacitetin e sistemeve të tyre shëndetësore. Është fakt se sistemi shëndetësor në shumë vende të Ballkanit nuk mundet të krahasohet me kapacitetin, sigurinë dhe kushtet që ofron sistemi shëndetësor në vendet e zhvilluara perëndimore. Mediat botërore raportojnë se vendimi i disa shteteve për të lehtësuar masat kufizuese vjen duke u bazuar në rënien ose rrafshimin e numrit të rasteve të reja me COVID19 ditëve të fundit. Një gjë e tillë nga ekspertët vlerësohet se kjo mundet të jetë një tjetër pikë kthese në pandeminë globale, tashmë gati dyvjeçare. Edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftuan se disa vende tani mund të konsiderojnë lehtësimin e rregullave nëse kanë shkallë të lartë imuniteti, sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor janë të forta dhe tendencat epidemiologjike po shkojnë në drejtimin e duhur.

Që nga fillimi i pandemisë në mbarë botën janë regjistruar 426,869,407 raste prej të cilave 5,911,871 raste kanë rezultuar me vdekje. Varianti i fundit i COVID19 “Omicron”, rezultoi të jetë jashtëzakonisht infektues dhe bëri që gjatë janarit numri i infektimeve por dhe i ri-infektimeve të rritet ndjeshëm. Më 20 janar, në mbarë botën u regjistruan mbi 3.8 milion raste të reja, një trend i cili vazhdoi me ditë të tëra. Nga mesi i muajit shkurt numri i rasteve të reja ka shënuar rënie dhe sipas ekspertëve ky është indikacion që disa vende që i plotësojnë kriteteret e lartpërmendura mundet të fillojnë zbutjen e masave kufizuese.
Rastet e reja ditore me COVID19 sipas worldometers.info
Nuk është e vërtetë se vaksina, maskat, karantinat nuk funksionojnë
  • Vaksinat

Dimë historikisht se njerëzit ndër vite janë përballur me pandemi të ndryshme dhe vaksina ka qenë zgjidhje. Më pas, imunizimi është një histori globale e suksesit për shëndetin dhe zhvillimin, duke shpëtuar miliona jetë çdo vit. Vaksinat zvogëlojnë rrezikun e marrjes së një sëmundjeje duke punuar me mbrojtjet natyrore të trupit tuaj për të krijuar mbrojtje. Kur merrni një vaksinë, sistemi juaj imunitar përgjigjet. Sot kemi vaksina për të parandaluar më shumë se 20 sëmundje kërcënuese për jetën, duke ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të jetojnë jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Aktualisht imunizimi parandalon 2-3 milionë vdekje çdo vit nga sëmundje si difteria, tetanozi, pertusis, gripi dhe fruthi. Bëjnë të ditur fakte të OBSH-së.

Programi i parë i vaksinimit masiv kundër COVID19 filloi në fillim të dhjetorit të vitit 2020. Në mbarë botën janë administruar të paktën 13 vaksina të ndryshme (në 4 platforma). Vaksinat anti-COVID19 kanë kaluar në të gjitha testet e nevojshme deri sa u vlerësuan si efektive dhe efikase nga autoritetet përkatëse. Shumë vende të botës kanë arritur që me sukses të vaksinojnë mbi 70 % të popullsisë së përgjithshme, duke siguruar në këtë mënyrë imunitet kolektiv dhe kushte të volitshme për lehtësimin e masave kufizuese kundër COVID19.

  • Maskat

Me shfaqjen e pandemisë me COVID19, masa për vendosjen e maskave mbrojtëse është një nga masat e para të miratuara në mbarë botën për të ndaluar përhapjen e virusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht rekomandoi që maska ​​të mbanin vetëm të sëmurët dhe përkujdesësit e tyre, por më vonë i ndryshoi rekomandimet e saj si rezultat i hulumtimit të kryer mbi efektivitetin e maskave. Kështu në qershor të vitit 2020, ОBSH i azhurnoi udhëzimet e saj për mbajtjen e maskave mbrojtëse në luftën kundër përhapjes së koronavirusit dhe rekomandoi që qeveritë të inkurajojnë popullatën të mbajë maska ​​në vende publike ku ekziston rreziku i transmetimit të koronavirusit.

Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) më 12 mars të vitit 2021 publikoi një studim që analizon efektivitetin e mbajtjes së maskave. Hulumtimi nxorri në pah se vendet që vendosën masa të detyrueshme për mbajtjen e maskave kanë një shkallë më të ulët të rasteve të reja dhe numrit të vdekjeve nga Kovid-19.

Me ardhjen e variantit më të fundit të virusit Omikron, thirrjet për mbatjejn e maskave janë intensifikuar, sepse sipas ekspertëve, ky lloj po përhapet me një ritëm të paparë. Këtë e theksoi ОBSH e cila bëri thirrje për mbajtjen e maskave, mirëmbajtjen e higjienës dhe ruatjen e distancës.

  • Karantina

Në periudhën kur nuk kishte mjaftueshëm informacion se si të trajtohet COVID19, masat kufizuese të shëndetit publik si izolimi, distanca fizike dhe karantina ishin mënyra më e mirë për të reduktuar transmetimin e virusit. Izolimi i referohet ndarjes së personave me simptoma nga të tjerët, ndërsa karantina është kufizimi i personave që nuk kanë simptoma, por që kanë pasur kontakt me persona me infeksion të konfirmuar ose të dyshuar. Karantina mund të zbatohet mbi baza vullnetare ose mund të zbatohet ligjërisht nga autoritetet, dhe mund të zbatohet në nivel individual, grupor ose komuniteti.

Një studim i udhëhequr nga doktoresha austriake Barabara Nussbaumer, tregoi se karantina gjatë pandemisë e kombinuar me masat tjera të shëndetit publik ndihmon në kufizimin e përhapjes së infektimeve të reja me COVID19.  Duke qenë COVID19 përhapet përmes spërklave gjatë kollitjes, teshtimës ose të folurit nga personat e kontaminuar me koronavirus, izolimi i këtyre rasteve është një ndër mënyrat më të mira për të shmangur infektimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button