Champions League, sonte dy super sfida!

Sonte rifillon gara e madhe e Champions League, ku spikat super ndeshja mes skuadrës së Bayern Munchen dhe Juventus, të cilat përballen me fillim në ora 20 e 45.

Ndeshja tjetër gjithashtu madhështore është ajo mes skuadrës së PSG-së dhe Barcelonës po në të njëjtin orar.

Jup Heynckes ka vlerësuar skuadrën e Juventusit duke u shprehur se Zonja e Vjetër është një kundërshtar që meriton vlerësim maksimal. Në një konferencë për shtyp, Heynckes u shpreh se Juve ka një nga ekipet më të mëdha në Evropë.

“Juve është një kundërshtar që meriton vlerësim maksimal, që i karikon të gjithë lojtarët tanë. E dimë mirë se bardhezinjtë janë të strukturuar shumë mirë si ekip. Unë vështirë se kam parë ndonjëherë një ekip italian aq mirë të organizuar dhe të paparashikueshëm. Në javët e fundit shkova në Torino për ta ndjekur Juven, sepse dua të jem krejtësisht i informuar mbi formën dhe punën e tyre.” u shpreh Heynckes.

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, e konsideron Bayern Munichun favorit për sfidën e të martës mbrëma në Allianz Arena dhe ka kërkuar nga lojtarët e tij që të shfrytëzojnë pikat e dobëta të bavarezëve.

“E dimë se jemi jofavoritë dhe se po luajmë ndaj njërit nga kandidatët kryesorë (për ta fituar garën). Por, nuk kemi arritur këtu rastësisht. Do t’i kërkojmë pikat e dobëta të një ekipi të jashtëzakonshëm të Bayernit. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, luftarake. Avantazhi prej 20 pikësh i Bayernit ndaj një skuadre si Borussia Dortmundi (në Bundesliga), është një dëshmi e vërtetë për fuqinë që ka”, ka deklaruar Conte në konferencën për media.

Lajme të ngjashme

Back to top button