Zgjedhjet: Me para të popullit në detyra partiake?

Në një vend të zhvilluar demokratik, me rregullativë ligjore stabile – nuk do të ishte normale situata kur funksionarët qeveritarë harxhojnë para për qëllime partiake, ndërsa vrapin pas votuesve e bëjnë në kuadër të orarit të punës. Me një kualifikim të këtillë, një pjesë e ekspertëve e analizon zhvillimin e deritanishëm të fushatës zgjedhore, ku janë aktivizuar të gjitha mekanizmat në nivel lokal dhe atë qendror.

“Në një vend normal të Evropës Perëndimore, do të ishin problematik të gjitha aktivitetet e funksionarëve shtetërorë, që zbatohen në kuadër të orarit të punës e që janë në interes të qëllimeve partiake. Nëse për shembull, supozojmë se në këtë mënyrë vepron ndonjë i punësuar në sektorin privat, ai me siguri do të dënohej. Nuk është e lejuar që me para shtetërore të kryhen detyra partiake” – thotë për “Portalb”-in profesori universitar Zdravko Savevski dhe shton se për situatën e këtillë nuk ka pasoja edhe pse ligjet e parashohin një gjë të tillë.

Përveç keqpërdorimeve të mundshme të resurseve shtetërore për qëllime partiake, ekspertët konsiderojnë se edhe në këto zgjedhje problematike do të jetë çështja e financimit të fushatës zgjedhore. Sipas rregullave të reja ligjore, partitë kanë qenë të detyruara që deri tani t’i dorëzojnë Raportet e para për financimin e fushatës.

Organizata joqeveritare “Transparency International”, nëpërmjet monitorimit të saj tashmë ka regjistruar harxhime “të pabalancuara” edhe te partitë maqedonase edhe te ato shqiptare.

Kështu, partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI “i kanë shtrirë” këmbët më gjatë se sa që e kanë jorganin. Të dyja partitë kanë harxhime të pambuluara.

Partia e Gruevskit ka mbledhur 108 mijë euro ndërsa ka harxhuar 1 milion e 508 mijë euro. Sipas këtyre numrave – VMRO DPMNE-ja ka dallim prej 1 milion e 399 mijë euro, me çka mbetet e paqartë se prej ku është siguruar kjo shumë.

Me më pak “zero”, por me matematika të njëjta është edhe llogaria e BDI-së që është në pushtet. Partia e Ahmetit ka treguar se ka mbledhur më shumë para – gjithsej 216 mijë euro, por llogaria e përgjithshme tregon minus prej rreth 15 mijë eurosh.

Më shumë se sa që ka mbledhur ka harxhuar edhe RDK-ja, partia e kryetarit të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, e cila ka minus prej rreth 14 mijë eurosh. Partitë opozitare LSDM-ja, PDSH-ja dhe PL-ja për fushatat e tyre kanë harxhuar në kuadër të parave që i kanë mbledhur.

Në pritje të rezultateve përfundimtare të partive, ekspertët nuk presin objektivitet.

“Raportet që i japin partitë gjithsesi nuk janë reale. E para, harxhimet reale janë shumë më të mëdha se sa ato që janë paraqitur, me ç’rast konsideroj se një pjesë e madhe e këtyre harxhimeve mbulohen jashtë sistemit, pas përfundimit të zgjedhjeve. E dyta, donacionet janë shumë më të mëdha, por ato asnjëherë nuk bëhen publike, gjegjësisht nuk futen në sistem, por kjo në raste të caktuara bëhet edhe me para të gatshme (kesh) ose pa mos e paguar shërbimin” – sqaroi para do kohësh për “Portalb”-in analisti Visar Ademi.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe profesori Savevski.

“Ajo që sipas meje dihet nga zgjedhjet e kaluara, e që është karakteristike edhe për këto zgjedhje lokale, është ajo që mendoj se raportet përfundimtare të partive për financimin e fushatës nuk përputhen me harxhimet reale. Sipas meje, ka shumë mungesa, gjegjësisht harxhime të fshehura. Insitucionet që janë kompetente ta zbatojnë kontrollin – nuk i shfrytëzojnë mekanizmat që ua ofron ligji” – thotë Savevski.

Ai u bën thirrje institucioneve kompetente që të mos bëjnë kontroll dhe sanksionim selektiv të paligjshmërive.

“Ligji për financimin e partive politike nuk është i dobët, por ka zbrazëtira ligjore të cilat shfrytëzohen në operacionin për financimin e zgjedhjeve. Në përpjeket e tyre për sanskionimin e dobësive dhe të shkeljeve ligjore, institucionet kanë qasje selektive, ndërs? dëshmi më e mirë për këtë, sipas meje, është rasti me Ljube Boshkovskin, liderin e “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili u arrestuat një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.” – përkujton profesori.

Raporte objektive nuk pret as Sasho Ordanovski nga “Transparencë Maqedoni”. Ai për “Portalb”-in shkurt tha:

“Pushteti do të harxhojë aq sa dëshiron, nuk pres reagime nga institcionet kompetente. Edhe pse gjithçka është paraparë në rregullativën ligjore – reagime nuk do të ketë” – tha Ordanovski.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2011, opinioni asnjëherë nuk e mori vesh se prej ku partia në pushtet e VMRO-DPMNE-së harxhoi 3 milionë e 500 mijë euro gjatë fushatës zgjedhore.

Në këto zgjedhje, një parti mund të harxhojë më së shumti 5 milionë e 103 mijë euro, gjegjësisht nuk duhet të harxhojnë më tepër se 180 denarë për një votë.

Nëpërmjet Raportit të saj fundit, “Transparencë Maqedoni” u bëri thirrje Komisionit shtetëror për antikorruptim dhe Entit shtetëror për revizion që me kohë dhe në kuadër të afateve ligjore t’i publikojnë ekstraktet bankare nga xhiro-llogaritë zgjedhore, për të cilën gjë kanë mandat të plotë.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas “Transparencë Maqedoni” ato “do të tregojnë integritet dhe kujdes për të mundësuar të paktën zgjedhje pjesërisht korrekte dhe demokratike” – shkruan në Raport. 

Aneta Dodevska, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button