RMV, cilësia e debatit në Kuvend në nivel të ulët, asnjë deputet shqiptar në mesin e 10 deputetëve më aktiv

Instituti për Demokraci Societas Civilis (IDSC) realizoi hulumtim për cilësinë e debatit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për periudhën korrik – dhjetor 2021. Cilësia e debatit nga deputet ka rënie për dallim prej viteve tjera, asnjë deputet shqiptar në mesin 10 deputetëve më aktiv, nivel i ulët i argumentimit, mungesë e fakteve, kultura e debatit e ulët, këto janë vetëm disa nga rezultatet e këtij hulumtimi, raporton Portalb.mk.

Raporti për këtë periudhë tregon një nivel relativisht të ulët të cilësisë së debatit në Kuvend dhe konfirmon konstatimin se ka vend për përmirësime të dukshme. Në shkallën nga 1 deri në 10 (1-më e ulëta, 10-më e larta), nota mesatare e cilësisë së debatit në Kuvend përgjatë periudhës korrik – dhjetor 2021 është 5.4, e cila krahasuar me periudhën e mëparshme të monitorimit është duke përkeqësuar në të gjitha parametrat. Nota mesatare për periudhën janar – qershor 2021 ishte 5.6.

“Në përgjithësi vërehet një përkeqësim i nivelit të argumentimit nga pjesëmarrësit në diskutimin në Kuvend. Folësit në 52% të fjalimeve të tyre nuk kanë pasur argumente, ndërsa në 41% kanë argumentuar dobët. Një ose më shumë argumente shënohen në 7% të diskutimit. Roli mbikëqyrës i Kuvendit në periudhën korrik – dhjetor 2021 ka mbetur në plan të dytë. Gjatë kësaj periudhe është mbajtur vetëm një seancë e pyetjeve parlamentare, e cila ka kufizuar mundësinë e Kuvendit për kontroll dhe mbikëqyrje të ekzekutivit, ndërsa nuk është mbajtur asnjë seancë mbikëqyrëse”, thuhet në hulumtimin e Institutit për Demokraci.

Deputetët e opozitës kanë qenë më aktivë në pjesëmarrje në diskutime, duke marrë pjesë në 62% të diskutimeve të monitoruara, ndërsa deputetët e shumicës morën pjesë në 38%.

Më aktivët, përkatësisht deputetët që qëndruan më gjatë në foltoren e Kuvendit janë Bojan Stojanoski me 546 minuta, Panço Minov me 460 minuta dhe Ljupço Prenxhov me 368 minuta. Sipas asaj se sa herë janë paraqitur për fjalë, më aktiv është edhe deputeti Bojan Stojanoski i cili mori fjalë 92 herë, deputeti Panço Minov me 71 herë dhe Ljupço Prenxhov me 49 herë. Në mesin e dhjetë deputetëve që qëndruan më së shumti në foltore në këtë periudhë monitorimi ishin pesë deputete, Gordana Siljjanovska Davkova, Zhaklina Llazarevska, Marija Georgievska, Lidija Petkoska dhe Beti Stamenkoska Trajkoska.

Vlen të theksohet se në bazë të këtij hulumtimi në dhjetëshen e deputetëve më aktiv nuk është asnjë deputet shqiptar, nga gjithsej që janë 32 prej të cilëve 10 janë gra, në këtë legjislaturë të kuvendit 2020 – 2024.

Raporti konfirmon gjithashtu vëmendjen e ulët të vazhdueshme të deputetëve ndaj të drejtave të grupeve të margjinalizuara, gjatë të gjitha periudhave të monitorimit. U vu re se deputetët në pothuajse 86.8% të diskutimeve të tyre, nuk trajtojnë të drejtat e grupeve të margjinalizuara, përveç rasteve kur diskutohet në mënyrë specifike për një ligj apo temë të caktuar në rendin e ditës që lidhet me të drejtat e tyre.

Kultura e debatit të deputetëve në Kuvendin tonë, e mbështetur me argumente të qarta dhe të qëndrueshme që mbështesin drejtpërdrejt qëndrimin e mbrojtur, është në një nivel relativisht të ulët. Kjo është arsyeja pse ky raport përfshin disa rekomandime, por edhe mjete të disponueshme që janë në dispozicion të deputetëve për të arritur një nivel më të lartë të cilësisë së debatit,.

Për dallim nga periudha e mëparshme e monitorimit janar – qershor 2021, këtë periudhë përgjithësisht vërehet rënie e nivelit të argumentimit nga pjesëmarrësit në diskutimin në Kuvend, pasi që pjesëmarrësit nuk kanë pasur argumente në fjalimet e tyre për 14% më shumë.

Opozita dhe pushteti nuk dallojnë shumë në shkallën e argumentimit në fjalimet e tyre në shtëpinë ligjvënëse, thuhet në raportin e këtij hulumtimi.

Gjatë periudhës raportuese, deputetët janë fokusuar më shumë në karakteristikat personale të bashkëbiseduesit, sesa në shqyrtimin thelbësor të argumenteve të tyre.

Pjesëmarrja e grave në diskutim është në nivelin e lartë prej 43% dhe paraqet pjesëmarrje më të lartë në krahasim me periudhat e mëparshme të monitorimit.

Pas këtyre rezultateve nga ky hulumtim, Instituti për Demokraci jep edhe disa rekomandime për përmirësimin e gjendjes së përkeqësuar në Kuvendin e RMV-së:

  • Rritja e informimit dhe njohurive mbi temat që janë lëndë e diskutimit, si dhe përmirësim i aftësive debatuese dhe oratorike të deputetëve mund të kontribuojnë ndjeshëm për debat më të mirë në Kuvend.
  • Kuvendi duhet të përfshihet në procesin e Vlerësimit të Ndikimit të Rregullativës (VNR), përmes së cilit do të rritet ndjeshëm cilësia dhe argumentimi i diskutimeve.
  • Deputetët duhet të përdorin me kujdes dhe në mënyrë minimale procedurën e shkurtuar dhe procedurën për rishikimin e propozim – ligjeve me flamurin Evropian
  • Është thelbësore që deputetët të plotësohen me profesionalizëm dhe të kuptojnë për ndikimin e ligjeve mbi jetën e grupeve të ndryshme të qytetarëve.

Instituti për Demokraci nga qershori i vitit 2014 e përcjell cilësinë e debatit në Kuvend dhe punën e Kuvendit në përgjithësi.

Raportin mund ta lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button