Milot Selmani e botoi librin e tij të parë “Poet i mallkuar” (VIDEO)

Milot Selmani, pas shumë vitesh vendosi ta botojë veprën e tij të parë “Poet i mallkuar”. Miloti është nga Tetova, por në moshën 20-vjeçare u largua nga atdheu për në Gjermani. Ai ka shtatë vjet karrierë si poet, mbi 3.300 poezi të shkruara, një libër të botuar dhe dy libra të tjerë online, shkruan Portalb.mk.

“Në moshën 20-vjeçare jam larguar nga atdheu për në mërgim dhe sa arrita atje mora një frymëzim që të merrja hapat e para në botën e poezisë. Kuptohet, në mërgim isha larg familjes, shoqërisë dhe personave të dashur, ndjeja mungesën e tyre dhe vetmia ishte ajo që më shtyu të shkruaja për atdheun.” tha Milot Selmani.

Miloti është shumë aktiv edhe nëpër rrjetet sociale, sidomos në Instagram, ku ai ka 66.500 ndjekës. Sipas tij, rrjetet sociale shërbejnë sot si një metodë e re moderne që të rinjtë lexojnë.

“Në rrjetet sociale jam aktiv që nga viti 2017 dhe kam qenë i impresionuar se sa shumë mbështetje dhe dashuri kam marrë për poezitë dhe thëniet që kam shkruar. Edhe pse si popull nuk jemi shumë lexues të librave por, në rrjetet sociale kam vërejtur që është e kundërta. Aty shoh që ka lexues shumë dhe jo më kot kam aq ndjekës.” u shpreh Miloti.

Shumica e poezive të Milotit janë të frymëzuara nga problemet e njerëzve dhe prandaj shpeshherë lexuesit e gjejnë veten në shkrimet e tij. Ndërsa, sa i përket botimit të tij të fundit, ai tha:

Libri “Poet i Mallkuar” është botimi im i parë dhe u shkrua në një periudhë të vështirë të jetës sime. Librin e kisha përfunduar para tre vjet, por, si poet i ri, ishte jo pak por shumë problematike ta botoja librin, duke gjykuar edhe nga vendi ku jetojmë. Por, gjithsesi, libri u botua dhe është pritur shumë mirë nga lexuesit. Libri është i përbërë me poezi rreth dashurisë, problematikave që i hasim në përditshmëri.shtoi Selmani.

Mesazhi që Miltoi përcolli për të gjithë të rinjtë sa i përket leximit është:

“Rinia gjithnjë do të ketë nevojë për lexim, sepse duke lexuar e përvetësojmë fjalorin dhe komunikimin. Kështu që unë besoj se çdo i ri ka ëndrra të cilat do t’i realizojë dhe nëse dëshirojnë që të jenë versioni më i mirë i vetvetes, duhet të komunikojnë dhe ta përvetësojnë fjalorin duke lexuar.” përmbylli Milot Selmani.

Miloti ndjen një mbështetje të madhe nga ndjekësit e tij nëpër rrjetet sociale dhe kjo për të është një shtysë e madhe që të vazhdojë të shkruajë. Ai gjithsesi se ka edhe plane për të ardhmen, pasi ka edhe katër libra të tjera të përfunduara. Njëra do të botohet verës, ndërsa librat tjerë do t’i botojë në vitet në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button