BDI dhe VMRO me marrëveshje të re pas 7 prillit?

Mundësia për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dita ditës bëhet më reale, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike si dhe marrëveshjen mes pushtetares VMRO DPMNE dhe LSDM pas ardhjes së komisarit Stefan Fule në vend.

Mediet maqedonase shkruajnë se kryeministri Nikolla Gruevski ditëve të fundit shqyrton mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë muajve të ardhshëm, duke përfituar dobësimin e opozitës maqedonase dhe rezultatet e saj humbëse në zgjedhjet e 24 marsit. 

Nga ana tjetër, VMRO-së i pengon suksesi i BDI-së andaj kalkulon në përkrahjen e opozitës shkruan portali Ina duke theksuar se BDI pas balotazhit të 7 prillit do të rishikojë koalicionimin me VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski. 

“Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet, por sigurisht se ne nuk jemi të kënaqur me të arriturat e deritanishme në nivel qendror. Kërkesat tona gjithnjë kanë qenë për të bërë më shumë. Ndërkohë, shihet qartë se VMRO-DPMNE është e shqetësuar nga fitorja jonë dhe i pengon rezultati i arritur. Në këtë parti  kanë kalkuluar se ne do të kemi një rezultat humbës dhe më pas të krijohet terreni i manipulimeve duke përdorur si kartë opozitën shqiptare”, theksoi zyrtari i lartë i BDI-së. 

Ndërkaq, analisti politik Alajdin Demiri për Zhurnal thotë se veprimet sipas tij të çuditshme në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve hapin dilemat e një kooperimi të ri mes opozitës shqiptare dhe pozitës maqedonase.

Nga partia e Ahmetit në këtë debat të KSHZ-së për ri-votim në Çair, akuzoi partinë e Thaçit se ka ngjallur aleancën e vjetër me VMRO-DPMNE-në. 

Lajme të ngjashme

Back to top button