Kontratat në vepër, përplasje midis Bekteshit dhe Komunës së Tetovës (Video)

Komuna e Tetovës para dy ditëve publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar. Sot, kjo çështje u bë mollë sherri në mes ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit dhe Komunës së Tetovës, të cilët hodhën akuza ndaj njëri tjetrit, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u shpreh se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duhet të ketë kujdes me të dhënat personale të personave, ndërkaq ju drejtua Kasamit që t’i publikojë edhe kontratat e nënshkruara gjatë mandatit të tij.

“Është me rëndësi të theksohet fakti që në mënyrë transparente dhe të hapur me siguri duhet të publikohen të gjitha të dhënat, por duke pasur kujdes edhe për të dhënat personale të qytetarëve. Do të kisha dashur të bëj thirrje që z.Kasami të publikojë kontratat në vepër edhe gjatë muajit janar dhe ato të cilat më vetëm se janë nënshkruar edhe për muajin shkurt, që qytetarët të mund të bëjnë krahasimin si është menaxhuar Komuna e Tetovës në të kaluarën dhe si bëhet tani” tha mes tjerash Bekteshi. Sa i përket mënyrës se si menaxhon Kasami, mendoj se është kryer më muaji i mjaltit dhe 100 ditëshi. Nuk duhet të merret shumë me atë se çfarë është bërë në të kaluarën, por të realizojë programin me të cilin e ka fituar besimin nga qytetarët e Komunës së Tetovës”, tha Bekteshi.

Për këtë deklaratë të ministrit, reaguan nga Komuna e Tetovës, ku kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi tha se muaji i mjaltit të cilin e përmendi ai për Komunën paraqet problem serioz nga problemet e trashëguara të ishkryetares Teuta Arifi.

“I nderuar ministër i BDI-së, Komunën e Tetovës që nga marrja e udhëheqsisë nga ana e kryetarit Bilall Kasami, puna jonë kryesore ka qenë transparenca dhe informimi i drejtë i qytetarëve, për punët e brendshme të institucionit dhe bërjen publike të të gjitha shkeljeve ligjore që janë bërë nga ana e bashkëpartiakes tuaj. Nëse për ju borxhi i krijuar nga ana e eksponentëve të partisë të cilën ju e përfaqësoni, 24 milion euro paraqet muaj mjalti për ne paraqet problem serioz dhe zgjidhje serioze. Nëse për ju shuma prej 7 milion eurosh që janë në përmbarues shkak i neglizhencës dhe keqpërdorimit të parasë së qytetarëve dhe që e ka bllokuar institucionin e qytetarit paraqet muaj mjalti, kjo për ne paraqet papërgjegjshmëri ndaj taksapaguesve tetovar”, tha Durmishi.

Ndër të tjera ai theksoi se pagesa e militantëve partiak nga buxheti i komunës përmes kontratave në vepër nuk është në rregull derisa të punësuarit e NPK Tetova nuk kanë pasur të paguar as sigurimin shëndetësor kur vendi përballet me krizën shëndetësore.

“Nëse për ju mungesa e ujit të qytetarëve është normale dhe paraqet muaji mjalti, për ne paraqet të drejtë elementare dhe ne do të angazhohemi me përkushtimin më të madh për tejkalimin e këtij problemi të trashëguar nga strukturat e partisë tuaj. Ashtu siç jemi zotuar ne do të jemi transparent përpara qytetarëve duke publikuar në vazhdimësi të gjitha kontratat në vepër. Borxhin edhe problemet e Komunës nuk i krijuam ata i gjetëm nga udhëheqsia parapake. I nderuar Kreshnik, muajin e mjaltit e keni ju pasi çmimet e produkteve bazë janë vazhdimisht në rritje, shqetësohuni për ekonominë e vendit, ju jeni në gjumë dhe vazhdoni e hani mjaltin e qytetarëve., zona ekonomike është dështim i juaji zotëri Bekteshi”, shtoi Durmishi.

Ndërkaq kështu u përgjigj në pyetjet e Portalb.mk, kryesuesi i Këshillit Komunal:

Pse u publikua lista me nxitim duke mos e nda listën me ata qe kane punuar dhe nuk kane punuar?

“Arsyeja ishte transparenca ndaj qytetarëve dhe bërja publike ishte të publikohen të gjithë. Nuk mundeshim të bëjmë ndarjen e atyre të cilët kanë qenë rregullisht në punë dhe ata të cilët nuk kanë ardhur.”

A do kërkoni falje publike për gabimin e djeshëm me shifrat ku thate se behet fjale për 544 persona prej te cilëve 250 persona kane dorëzuar raport pune ndërsa 244 jo, që këto shifra nuk ishin te sakta?

“Ata kanë qenë kontrata të nënshkruara numri i të cilave ka arritur në 812 dhe atë të cilën e kemi publikuar i qëndrojmë mbas si institucion.”

Mirëpo dje komuna dha numër se 250 persona kanë dorëzuar raport, 244 nuk kanë dorëzuar raport?

“Të gjithë ata që kanë dorëzuar raport do tu paguhet puna të cilën e kanë bërë. ata të cilët nuk kanë dorëzuar raport do të dorëzohen materialet para organeve kompetente.”

Meqenëse një pjese e personave qe kane punuar me kontrate ne vepër kane dëshmi punën e kryer, a do te ju vazhdohet kontrata te njëjtëve?

“Nuk i kam informacionet e sakta, sektori juridik dhe sektori i financave bëjnë përllogaritjen për të siguruar numrin e saktë të personave të cilët vazhdimisht kanë ardhur në punë dhe kanë kryer obligimin për të cilin kanë qenë të kontraktuar. Me sa e di si informatë mbi 100 kanë qenë të cilët kanë qenë në punë, normalisht që ne i kemi ndërprerë kontratat duke i përfshirë edhe ato. Gradualisht në çdo sektor në bazë të nevojës ata të cilët kanë qenë i kthejmë përsëri.”

Ndryshe, Komuna deri më tani nuk e ka të gatshme dhe të kompletuar listën me raportet se sa nga këta persona të punësuar me kontratë në vepër kanë shkuar në punë dhe nuk kanë marrë para pa mos punuar, nga atje thonë se kjo listë po procesohet dhe kontrollohen raportet.

Për rastin në fjalë, ministri flet nga minuta 06:06.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button