RMV, deputetët nuk e mbështetën shfuqizimin e qeverisë së Përzhinës dhe apanazhit

Propozimin e VMRO-DPMNE-së për shfuqizimin e qeverisë së Përzhinës e mbështetën 32 deputetë, ndërsa propozimin nga “E Majta” për heqje të apanazhit votuan vetëm 16 deputetë, asnjëri propozim nuk e mori mbështetjen e duhur nga deputetët, raporton Portalb.mk.

Të dy propozimet ishin në rendin e ditës të seancës sotme, por “pro” votuan më pak se 61 deputetë, sa nevojiten për miratim.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, duke e shpjeguar propozimin për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë me të cilin do të shfuqizohej formimi i Qeverisë së Përzhinës 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, tha se zgjidhja e tillë është jofunksionale.

“Mos funksionalitetin e zgjidhjes aktuale ligjore patëm mundësi të shohim në disa raste. Tani është para nesh, pres mbështetje për fshirjen e këtyre dispozitave, ndërsa për to mund të diskutojmë gjatë procedurës”, tha Micevski.

Megjithatë, opozita nuk e mori mbështetjen e pritur nga shumica e deputetëve. “Pro” votuan 32 deputetë, ndërsa 55 ishin ”kundër“, prandaj propozimi i VMRO-DPMNE-së nuk u miratua.

Qeveria teknike apo e Përzhinës filloi të përdoret si model gjatë negociatave mes partive në Përzhinë, për të dalë nga kriza e madhe politike pas zbardhjes së aferës me përgjimet masive ilegale, gjegjësisht para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016.

Prej atëherë, në vend kishte dy qeveri kalimtare, të cilat e tejkaluan dukshëm mandatin e parashikuar prej njëqind ditësh, Mandati i Qeverisë së parë kalimtare e Emil Dimitrievit nga VMRO-DPMNE u zgjat për shkak të trazirave të mëdha politike që çuan në shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Ndërsa afati i Qeverisë së dytë kalimtare të Oliver Spasovskit, nga LSDM-ja, u zgjat për shkak të krizës me kovid 19, që shkaktoi edhe shtyrje të zgjedhjeve të vitit 2020.

Deputetët nuk e mbështetën as heqjen e apanazhit, që ishte propozim nga “E Majta”. “Pro” votuan vetëm 16 deputetë, ndërsa “kundër” ishin 13 deputetë dhe për këtë arsye ky propozim nuk u miratua.

Qëllimi i propozim-ligjit është heqja e së drejtës në pagë pas përfundimit të funksionit deputet në Kuvend, funksionar dhe drejtues të emëruar nga Kuvendi, përkatësisht i emëruar nga organi të cilin do ta autorizojë Presidenti i Republikës së Maqedonisë dhe Qeveria ose e ashtuquajtura e drejtë për apanazh, si dhe respektimi i parimit kushtetues të ndalimit të diskriminimit në bazë të origjinës klasore/shoqërore dhe pasurisë, gjegjësisht statusi social.

Projektligji korrespondon me situatën aktuale ekonomike, energjetike, shëndetësore dhe financiare në kohë të krizës që është shpallur dhe besojmë se kjo zgjidhje synon përmbushjen e objektivave të këtij projektligji”, thuhet në propozimin e dorëzuar nga deputetët Dimitar Apasiev dhe Borisllav Krmov.

Në një vërejtje procedurale për projektligjet ka folur Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili ka shpjeguar pse ka votuar “kundër” propozimin e së majtës. Siç theksoi ai, Kuvendi nuk është vetëqeverisje lokale ku funksionon në baza vullnetare, pa tarifa dhe tha se në fund të mandatit zyrtarët e shfrytëzojnë mundësinë ligjore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button