Administrata Biden nën trysni për të lehtësuar kufizimet mbi COVID-in

Përballë trysnisë në rritje për të lehtësuar kufizimet lidhur me pandeminë, Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se po bënte plane për një fazë më lehtësuese në raport me kufizimet në nivel kombëtar. Por shtetet që e kanë humbur durimin, mes tyre Nju Jorku që drejtohet nga një guvernatore demokrate, e kanë bërë të qartë se nuk do të presin Uashingtonin ndërsa irritimi publik po rritet. raporton VOA, transmeton Portalb.mk.

Guvernatorja Kathy Hochul njoftoi se Nju Jorku do t’i japë fund urdhrit mbi vendosjen e detyruar të maskave në shumicën e ambienteve publike të brendshme, por ai do të vazhdojë të jetë në fuqi për shkollat. Autoritetet e shtetit të Ilinoisit njoftuan të njëjtën gjë.

Në fillim të kësaj jave, Nju Xhjersi, Konektikati dhe Dellaueri bënë publike plane për t’iu bashkuar atyre shteteve që kanë hequr ose nuk kanë pasur kurrë urdhra në fuqi, për mbajtjen e maskave në shkolla. Shteti i Masaçusetsit do të ndjekë shembullin në fund të këtij muaji. Të gjitha këto shtete, përveç Masacusetsit, drejtohen nga guvernatorë demokratë.

Presidenti Biden, i cili ka premtuar prej kohësh të ndjekë shkencën në përballjen me pandeminë, duket ‘i rrethuar’, ndërsa pret udhëzime të reja nga zyrtarët federalë të shëndetësisë, të cilët deri më tani vazhdojnë të rekomandojnë që pothuajse të gjithë amerikanët të mbajnë maska në shumicën e ambienteve të brendshme.

Duke i dalë në mbrojtje Presidentit Biden, sekretarja e Shtypit Jen Psaki pranoi se njerëzit janë të lodhur nga maskat, por shtoi se administrata po ndjek këshillat e ekspertëve të cilët siç tha, mbështeten tek provat shkencore.

“Kjo gjë nuk lëviz me shpejtësinë e politikës, por me shpejtësinë e të dhënave”, tha ajo.

E ndodhur qartësisht nën trysni, Shtëpia e Bardhë për herë të parë pranoi se po bën plane mbi këtë çështje, dhe tha se po zhvillohen diskutime private, për të hartuar masa që e largojnë vendin nga faza e emergjencës lidhur me pandeminë në të cilën ndodhet aktualisht.

Koordinatori federal mbi COVID-19 Jeff Zients tha se zyrtarët po konsultohen me drejtuesit shtetërorë dhe lokalë si dhe zyrtarë të shëndetit publik mbi hapat e ardhshëm të mundshëm. Por ndërsa guvernatorët dhe zyrtarët lokalë po ushtrojnë trysni për udhëzime më të qarta federale për lehtësimin ose dhënien fund të kufizimeve, disa shtete, qytete e borde shkollash po miratojnë politika që ndryshojnë gjerësisht nga ato që janë në fuqi, nga një vend në tjetrin.

“Po punojmë lidhur me këto udhëzime, por nuk kemi mbërritur ende në fund”, tha drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Rochelle Walensky në një telekonferencë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

Shtëpia e Bardhë nuk ofroi asnjë afat kohor për rishikimin e udhëzimeve apo se çfarë pritet të rekomandojë. Disa kritikë nuk e shohin këtë si një gjë të mirë.

I pyetur nëse Presidenti Biden është ose jo në dijeni të asaj që po ndodh në vend, zonja Psaki i doli në mbrojtje duke shtuar se “qeveria federale, ka përgjegjësinë të mbështetet tek të dhënat shkencore dhe ekspertët e mjekësisë”.

E pyetur se cilat udhëzime duhet të zbatojnë amerikanët; rregullat më pak kufizuese shtetërore ose lokale apo udhëzimet më të rrepta federale, zonja Psaki përsëriti këshillën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë, që këshillon çdo amerikan të ndjekë udhëzimet e CDC-së.

Por Guvernatorja e Nju Jorkut Hochul e të tjerë, duket se nuk po presin. Ata po i japin fund ose lehtësojnë shumë urdhra kufizues. Megjithatë shteti i Nju Jorkut do të vazhdojë të mbajë në fuqi urdhrin për mbatjen e detyruar të maskave në shkolla dhe objekte shëndetësore.

“Duke pasur parasysh infeksionet në rënie, rënien e numrit të shtrimeve në spital, kjo është arsyeja pse ndihemi rehat ta bëjmë këtë gjë, duke filluar nga nesër”, tha zonja Hochul të mërkurën.

Edhe aleatët e administratës kanë argumentuar se Presidenti Biden duhet të paktën të përcaktojë një udhërrëfyes për t’iu kthyer normalitetit.

Por ndihmësit e tij thonë se ai ka pasur mëdyshje, pjesërisht për shkak të një deklarate të tij verën e kaluar kur njoftoi “pavarësinë nga virusi”, gjatë një fjalimi me rastin e ditës së pavarësisë së vendit, çka rezultoi e parakohshme përballë variantit Delta e më pas atij Omicron.

Megjithatë, tashmë rastet dhe shtrimet në spital si pasojë e COVID-19 kanë rënë ndjeshëm, pasi shënuan kulmin në fillim të këtij viti, mes përhapjes së variantit shumë të transmetueshëm atij Omicron. Tashmë pjesa dërrmuese e amerikanëve janë vaksinuar dhe kanë marrë përforcues që garanton më shumë efektivitet ndaj virusit.

Megjithatë, më shumë se 2,000 njerëz po vdesin çdo ditë në vend si pasojë e COVID-it dhe brenda administratës ka zëra kundër heqjes dorë nga kufizimet ndërsa numri i vdekjeve vazhdon të jetë i lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button