Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë vizitë pune dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë për Diplomacinë Ekonomike Kostas Frankojanis sot pasdite do të arrijë në Shkup për një vizitë dyditore pune në Maqedoninë e Veriut dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me ministrat e sektorit të ekonomisë, zëvendësministren e jashtme, zëvendëskryeministrat për çështje ekonomike dhe evropiane, si dhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, raporton MIA, transmeton Portalb.mk.

“Agjenda përfshin bisedimet për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin dhe forcimin e tyre”, thanë nga Ministria e Jashtme greke përpara vizitës.

Sipas programit zyrtar, pasdite, zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë do të takohet me ministrin e financave të Maqedonisë së Veriut dhe do të vizitojë Stopanska Banka, ku do të ketë takime edhe me udhëheqësit, ndërsa në mbrëmje do të marrë pjesë në një darkë, të organizuar për nder të tij nga zëvendëskryeministrat për çështjet ekonomike dhe evropiane Fatmir Bytyqi dhe Bojan Mariçiq.

Frankojanis nesër do të takohet me zëvendësministren e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, poashtu do të pritet edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, përgjegjës për diplomacinë ekonomike, Kostas Frankojanis është vizita e parë e një përfaqësuesi të qeverisë greke pas zgjedhjes së qeverisë së re në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button