RMV, me 101 vota “për” paga minimale kaloi filtrin e parë parlamentar

Me 101 vota “për”, kaluan votimin e parë në seancën plenare të Kuvendit ndryshimet e propozuara për pagën minimale . Asnjë deputet nuk ka votuar “kundër” dhe nuk ka pasur asnjë abstenim. Projektligji tani do të debatohet në Komisionin parlamentar për punë dhe politikë sociale transmeton Portalb.mk.

Rritjen e pagës minimale në seancën e Kuvendit e shpjegoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e cila tha se është sjellë pas një diskutimi konstruktiv në Këshillin socio-ekonomik me sindikatat dhe punëdhënësit.

“Pas mbajtjes së tre seancave të Këshillit ekonomiko-social dhe diskutimit konstruktiv, sollëm zgjidhjen më konstruktive për rritjen e pagës minimale. Kjo ;shtë konfirmim që së bashku me partnerët social marrim vendime në interes të punëtorëve”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se ndryshimet parashikojnë rritje të pagës minimale nga 15.200 në 18.000 denarë, si dhe metodologji të re për llogaritjen e pagës minimale.

“Me propozim-ndryshimet, ndryshohen kriteret për përshtatjen vjetore të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH). Ndryshimet e propozuara parashikojnë që shuma e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare të shpallur nga EShS për vitin paraprak. Me këto ndryshime do të përfshihen rreth 80 mijë bashkëqytetarë tanë të cilët me pagesën e rrogës së muajit mars do të marrin rritje nga 15.200 në 18000 denarë”, tha ministrja.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paraprakisht porositën se presin që deputetët njëzëri të mbështesin rrogën minimale prej 18.000 denarë.

Marrëveshja për rritjen e pagës minimale u arrit të hënën mbrëma, pas bisedimeve disaditore mes LSM-së, Qeverisë dhe organizatës së punëdhënësve. Sipas marrëveshjes, punëdhënësit do të rrisin pagën minimale, ndërsa shteti do të ndihmojë në mbulimin e shpenzimeve për kontributet për punëtorët. Paga e re minimale do të fillojë të paguhet me pagën e marsit.

“Me marrëveshjen, punëdhënësit do të mbulojnë të gjithë rritjen neto të pagës për punonjësit e tyre që janë me pagë minimale. Shteti, nga ana tjetër, do të mbulojë të gjithë diferencën në pjesën e kontributeve nga paga minimale aktuale prej 15.200 denarë deri në atë që do të paguhet në mars prej 18.000 denarë. Bëhet fjalë për pjesë nga ana e shtetit prej rreth 16 milionë euro deri në fund të vitit. Kemi premtuar dhe zbatuar masa që ndihmojnë drejtpërdrejt standardin e jetesës. Në një vit të krizave evropiane dhe botërore, ne mbetemi të fokusuar në mbështetjen financiare të qytetarëve”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmjen që u arrit marrëveshja.

Një pjesë e marrëveshjes është edhe metodologjia e re për llogaritjen e pagës minimale, në të cilën si kriter përfshin që ajo të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare në vend.

“Kemi arritur një marrëveshje tjetër të rëndësishme: Të ndryshojmë kriteret e metodologjisë për rregullimin vjetor të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës. Kriteri i tretë është risi: shuma e pagës minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare të publikuar sipas Entit Shtetëror të Statistikave”, shpjegoi Kovaçevski më 7 shkurt.

Metodologjia e re, siç u theksua më pas nga përfaqësuesit qeveritar, do të mundësojë ngritjen e minimumit në të ardhmen. Sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi për “Utrinski brifing”, vlerësimet janë se me harmonizimet deri në vitin 2026 do të arrijë në 22.000 denarë.

Sindikata e Punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (PAOGJSHQ) dje reagoi se me rritjen e pagës minimale dhe mos dëgjimin e Qeverisë për rritjen graduale të pagave të tjera, do të realizohet ajo që parashikonin – shembja e sistemit të pagave në administratë dhe në gjyqësor. Nëse nuk do të ketë rritje graduale të pagave, ata njoftuan se do të detyrohen të aktivizojnë vendimin e marrë në muajin nëntor dhe pakënaqësinë e punonjësve ta shprehin me protesta apo forma të tjera presioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button