Nuk do të fillojë këtë vit prokurimi i 250 autobusëve të premtuar nga Arsovska, thotë se qyteti i Shkupit ka shumë borxhe

Këtë vit nuk do të fillojë as procedura për blerjen e 250 autobusëve ekologjikë, të cilët i kishte premtuar kryetarja e Shkupit Danella Arsovska gjatë fushatës zgjedhore. Në buxhetin për vitin 2022 nuk parashikohen para për këtë qëllim, kurse Qyteti nuk mund të marrë as kredi pasi tashmë është në borxh, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Procedura për blerjen e autobusëve të rinj zgjat së paku një vit e gjysmë, duke qenë se fillimisht shpallet tenderi për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm që zgjat disa muaj, e më pas deri në një vit është afati për dorëzimin e automjeteve. Si për shembull, koha e dorëzimit të 33 autobusëve nga prodhuesi gjerman MAN ishte 10 muaj. Procedura filloi në janar të vitit 2019 kur u nënshkrua marrëveshja e kredisë me BERZH-in, më pas tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kompanie zgjati disa muaj, pas së cilës në maj të 2020-tës mbërritën automjetet e para të reja për transport publik.

Nga kabineti i kryetares së komunës Danella Arsovska thonë se autobusët këtë vit nuk mund të blihen, pasi Qytetin e gjetën me shumë borxhe.

“Prokurimi i 250 autobusëve ekologjikë është pjesë e programit katërvjeçar të Qytetit të Shkupit. Nga buxheti i vitit 2022, një pjesë e madhe e mjeteve janë të destinuara për shlyerjen e borxheve milionëshe të trashëguara nga drejtuesit paraprak të qytetit, si dhe për kontratat shumëvjeçare që udhëheqësia e mëparshëm ka bërë jashtë mandatit të vet. Këto borxhe duhet të paguhen me mjetet që i ka në dispozicion Qyteti i Shkupit nga buxheti nga ky dhe nga viti i ardhshëm”, thonë nga kabineti i Arsovskës.

Nga atje nuk janë përgjigjur pyetjes së Sdk.mk se ku do të gjenden paratë për të blerë autobusët e premtuar, të cilëve u nevojiten rreth 75 milionë euro, duke qenë se Qyteti nuk mund të marrë hua me kredi.

Kryetarja Arsovska në dhjetor gjatë një brifingu tha se donatorëve do t’u kërkohet të mbledhin fonde për blerjen e autobusëve.

Arsovska në fushatë, përveç 250 autobusëve të rinj, premtoi transport falas për të gjithë qytetarët. As kjo nuk do të ndodhë këtë vit, por pas dy vitesh pasi ndërmarrja publike NTP Shkup, siç tha kryetarja, është në gjendje të keqe dhe fillimisht duhet të konsolidohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button