Lituania dëshiron prani të përhershme të trupave amerikane

Presidenti i Lituanisë thotë se ky shtet i Baltikut do të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara që të kenë prani të përhershme ushtarake në këtë vend, teksa aleatët perëndimorë po kërkojnë që të forcojnë sigurinë, pas shqetësimeve lidhur me krizën në Ukrainë, raporton REL.

“Patjetër, ne do të flasim me SHBA-në që të sigurohemi që forcat amerikane të jenë përgjithmonë në Lituani”, tha presidenti Gitanas Nauseda gjatë një konference për media më 9 janar.

“Ky do të ishte forcimi më i mirë për sigurinë dhe mundësia më e mirë që NATO-ja mund të ofrojë jo vetëm për Lituaninë, por për gjithë rajonin”, tha ai.

Që prej vitit 2019, SHBA-ja ka dislokuar në rotacione rreth 500 trupa luftarake në Lituani, shtet anëtar i NATO-s dhe ish-shtet i Bashkimit Sovjetik, që gjendet në kufi me enklavën Kaliningrad të Rusisë.

Edhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë njoftuar për plane për të rritur prezencën ushtarake në Evropën Lindore dhe në Baltik, pas rritjes së tensioneve me Moskën, që ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën.

Inteligjenca perëndimore ka shprehur shqetësimin se ky grumbullim mund të jetë përgatitje për pushtimin e Ukrainës, por Moska mohon se ka plane të tilla.

SHBA-ja ka thënë se ka vendosur në “gatishmëri të lartë” 8,500 trupa të cilat do të mund të dislokoheshin në Evropë brenda një periudhe të shkurtër, nëse do të ishte e nevojshme për të siguruar aleatët e NATO-s.

Komentet e presidentit të Lituanisë vijnë në të njëjtën dikur kur Holanda tha se do të rrisë numrin e trupave të saj të NATO-s që ka në Lituania nga 270 sa ka aktualisht, në 350 trupa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button