Ukraina pret mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet për të penguar Rusinë

Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Natalija Zadorozhnjuk duke folur sot në Shkup për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, tha se nuk do të ishte ekzagjerim nëse thuhet se, sot zgjidhet fati i rendit ndërkombëtar juridik. Në fjalimin e saj gjatë panel diskutimit me temë “Kriza ukrainase-ruse dhe Maqedonia e Veriut” të organizuar nga organizata CIVIL, theksoi se ose do të jetojmë në një botë relativisht stabile me rregulla të qarta të lojës për çdo shtet pa përjashtim në pajtueshmëri me rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare, ose sistemi aktua do të shkatërrohet tërësisht. Sipas saj, kjo çështje ka të bëjë me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

“Çështjet nuk kanë të bëjnë aq me raportet mes Rusisë dhe Ukrainës, por kanë të bëjnë me të gjitha vendet, përfshirë edhe Maqedoninë Veriore mike. Ose të gjithë jemi në anën e forcës së të drejtës ose fiton Rusia autoritare me të drejtën e saj të forcës. Sa i përket konkretish konfliktit ruso-ukrainas, çdoherë është e vështirë me fqinjët, por vendet e civilizuara i zgjidhin kontestet në mënyrë të civilizuar. Nuk mund të imagjinoj ndonjë fqinj të Maqedonisë në shekullin 21 të vijë te ju dhe t’ua vjedh një pjesë të territorit duke vrarë 15.000 njerëz. Dhe atë vetëm sepse vendi juaj dëshiron vet ta zgjedh ardhmërinë e vet”, tha Zadorozhnjuk.

Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnjuk; Foto: Ambasada e Ukrainës në Shkup
Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnjuk; Foto: Ambasada e Ukrainës në Shkup

Ajo tha se së bashku me aleatët kanë formuluar tre drejtime për të penguar Rusinë: diplomatiko – politik, saknksionim ekonomik dhe ushtarako-teknik. Drejtimi politik është solidarizim me Ukrainën, ai ekonomik është përforcimi i sanksioneve politike që e bën Rusinë shumë më të dobët, ndërsa i treti është ndihma ushtarake, sigurimi i armëve mbrojtëse.

“Në këtë drejtim, gjithashtu, presim mbështetje politike të qartë dhe pa hamendje nga Maqedonia e Veriut mike. Presim kyçje drejt sanksioneve të Bashkimit Evropian (nuk mund të rrish ulur në dy karrike, ka momente në jetë kur duhet vet të vendosësh, para së gjithash në cilën anë të barrikadës je. Ukrainasit kanë përvojë negative shumë bindëse me neutralitetin). Nëse shkojmë në BE dhe NATO, nëse jemi pjesë e vlerave evropiane, atëherë atë e demonstrojmë jo vetëm me fjalë, por edhe me veprat tona”, tha ambasadorja ukrainase.

Në këtë panel diskutim morën pjesë edhe ekspertë të fushës. Analisti Aleksandër Nikoliq Pisarev, në fjalimin e tij shprehi shqetësimin rreth dezinformatave dhe propagandës së ndikimit rus.

“Ndikimi rus është çdoherë i pranishëm fuqishëm në Maqedoni, atë e kemi pasur edhe në serinë e zgjedhjeve parlamentare etj., posaçërisht në referendumin në vitin 2018. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që të bëhet një koalicion shumë i fuqishëm kundër tyre”, tha Pisarev.

Ndërkaq, Rosana Aleksoska nga organizata MOST, tha se pjesa më e madhe e narrativave dezinformuese, që janë të drejtuara kundër perëndimit, SHBA-së, BE-së apo NATO-s, në të njëjtën kohë në mënyrë direkte apo indirekte nënkuptojnë edhe promovim apo glorifikim të Rusisë.

“Më së shpeshti përdoren, por edhe keqpërdoren një sërë faktorësh, siç janë trashëgimia nga komunizmi apo socializmi, prejardhja sllovene dhe religjioni dhe transparenca e shoqërive demokratike. Në shoqëritë ku jetojnë popullësi ortodokse, Rusia, si rregull, i promovon narrativat për identitetin slloven dhe ortodoksizmin, përmes llojeve të ndryshme të mediave, akademisë, intelektualëve dhe organizatave të ndryshme, kishës, kulturës, politikanëve dhe partive politike të caktuara. Në rastin tonë, në Ballkan, por edhe në pjesën e Evropës Qendrore, Rusia i orienton qytetarët drejt konceptit të verave të përbashkëta të vëllezërve sllav dhe ortodoks dhe në këtë mënyrë, sikur e monopolizon këtë koncept dhe normal, ky narrativ është i përforcuar me narrativin se ne si popuj nuk kemi asgjë të përbashkët me botën perëndimore, që absolutisht nuk është e vërtëtë. Kjo kontribuon në perceptime të gabuara drej aleatëve tanë perëndimor, megjithatë, në shoqërinë dhe shtetin tonë multietnik, sjell mosmarrëveshje dhe përçarje”, theksoi Aleksoska.

Mosmarrëveshja mes Rusisë dhe Ukrainë ka filluar kah fundi i vitit 2013 dhe kulmoi me agresionin ushtarak dhe aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014 nga ana e Rusisë. Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button