Me deklaratë të sajuar glorifikohet fuqia e Rusisë

Çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe temat e luftës kanë tendencë të tërheqin interes të madh nga lexuesit, si pasojë shpesh ndodh që ngjarje apo deklarata të caktuara të nxirren nga konteksti duke iu dhënë ngjyra sensacionalizimi. Në këtë mënyrë, sa më shumë që klikohet linku aq më shumë rritet qarkullimi i reklamave dhe profiti i personave që keqpërdorin hapësirën mediatike. Në këtë përmbajte që recensojmë me deklaratë të sajuar, glorifikohet fuqia e Rusisë.

Putin: Raketa jonë arrin për 5 minuta tek ata që lëshojnë urdhra” është titulli i përmbajtjes që recensojmë i publikuar më 2 dhjetor të vitit 2021 në portalin “Drejtpërdrejt” dhe i shpërndarë në “Facebook” më 27 janar të vitit 2022 nga faqja “Bashkë Diaspora”.

Në pamje të parë titulli bombastik dhe fotografitë dramatike janë elementet kryesor që të tërheqin vëmendjen, megjithatë bëhet fjalë për një produkt mediatik joprofesional. Në tekstin që recensojmë nuk figuron emri i autorit që e ka punuar “lajmin” në fjalë dhe kjo bie ndesh me parimet gazetareske. Pas çdo paragrafi lexuesit, në mënyrë imponuese, i kërkohet që për të lexuar më tepër të shtyp linkun e reklamës. Data e publikimit të përmbajtjes nuk përputhet me atë të shpërndarjes në “facebook”, megjithatë gjithë këto elemente nuk kanë penguar që përmbajtja të ketë një interaksion të lartë. Vetëm në pak ditë postimi në “facebook” është pëlqyer nga 104 persona, rreth 115 tjerë kanë komentuar ndërsa 5 të tjerë e kanë shpërndarë në profilet e tyre.

Titull sensacional që nuk figuron në brendinë e tekstit

Titulli i përmbajtjes që recensojmë është shumë sensacional dhe tendencioz dhe që në asnjë moment nuk citohet në përmbajtje. Sa i përket brendisë së tekstit vërehet një qasje konfuze dhe tekst pa koherencë. Në paragrafin e parë thuhet se “Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën paralajmëroi kundër dërgimit të trupave dhe armëve të NATO-s në Ukrainë, duke thënë se kjo përbën “vijë të kuqe” për Rusinë dhe do të nxiste kundërpërgjigje të fuqishme”. Në fakt, teksti i publikuar në dhjetor i referohet një deklarate të presidentit rus të bërë më 18 dhjetor, deklaratë kjo e cila ishte në fokus të mediave botërore. Në artikullin e publikuar nga Reuters “Putin thotë se Perëndimi po i kalon “vijat e kuqe” të Rusisë“, dhe atë të Aljazzera “Putin akuzon Perëndimin se po i kalon “vijat e kuqe” e kuqe të Rusisë” flitet detajisht për deklaratat shqetësuese të presidentit rus por në asnjë moment nuk citohet të ketë thënë se “Rusia ka një raketë që për 5 minuta arrin tek ata që lëshojnë urdhër.

Sipas mediave ndërkombëtare, Putin këto deklarata i bëri gjatë një paraqitje televizive në një televizion rus dhe jo në “një forum për investime” siç pretendohet në tekstin që recensojmë. Gjatë kësaj paraqitje televizive Putin foli gjerësisht rreth politikës së jashtme ruse dhe alarmoi se bombarduesit strategjikë perëndimorë që mbanin “armë shumë serioze” po fluturonin 20 km larg nga kufijtë e Rusisë.

Në paragrafin e fundit theksohet se “Presidenti rus tha se një raketë e re hipersonike, e cila pritet të futet në shërbim nga forcat detare ruse në fillim të vitit të ardhshëm, do të mund ta arrinte cakun në kohë të ngjashme. “Asaj gjithashtu do t’i duheshin vetëm pesë minuta për t’i arritur ata që lëshojnë urdhra”, tha ai. 

Siç theksuam më lartë, nga verifikimi dhe analiza e artikujve të publikuar në mediat e njohura botërore nuk gjendet asnjë deklaratë e presidentit rus ku theksohet fjalia “Raketa jonë arrin për 5 minuta tek ata që lëshojnë urdhra”. Autori i tekstit ose e ka përkthyer gabimisht deklaratën e presidentit rus ose qëllimisht e përcjell në formë të rrejshme këtë deklaratë me qëllim që të krijojë një situatë të tensionuar dhe të tërheq sa më shumë klikime.

Sa i përket temës mbi raketën e re ruse hipersonike është një tjetër çështje e cila mori gjithashtu vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Më 29 nëntor agjencia botërore e lajmeve Reuters publikoi titullin “Rusia thotë se raketa hipersonike Zircon goditi objektivin në testin e fundit” ku shpjegohet njoftimi që ka bërë Rusia rreth testimit të suksesshëm të raketës “Zircon”. Më tej thuhet se raketa u lëshua nga një anije luftarake në Detin Barents dhe goditi një objektiv detar më shumë se 400 km larg. Detajet e testimit të fundit të raketës në fjalë u bënë të ditura nga Ministria e mbrojtjes ruse dhe jo nga presidenti Putin, siç pretendohet në përmbajtjen që recensojmë. Putin e ka përshëndetur testin e suksesshëm dhe e ka vlerësuar si një ngjarje të rëndësishme për vendin (VIDEO: Min- 0.55), gjatë një paraqitje publike në dhjetor.

Me shkrime të këtij lloji, media në fjalë krijon magjepsje dhe favorizim ndaj Rusisë. Zakonisht, fuqia ushtarake e Rusisë nuk është pjesë e ndonjë analize të gjerë ose të thelluar, përmendja shpesh bëhet jashtë kontekstit (lidhur me ndonjë ngjarje – festë, manovër, deklarata nga zyrtarë të lartë të qeverisë ruse) dhe nuk ka elemente krahasuese ose tregim të balancuara të fuqisë ushtarake të shteteve tjera. Për këtë fenomen mund të lexoni më shumë në këtë link.
LEXO: Si krijohet magjepsja nga fuqia e Rusisë në mediume dhe rrjetet sociale

Shtrembërim i fakteve dhe nxjerra nga konteksti e një deklarate është e papranueshme në gazetari, një veprim i tillë bie ndesh me Kodin e Gazetarëve i cili thotë :

  • Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button