RMV, Sindikata e PAOGJSHQ: Të rriten pagat gradualisht ose do të hyjmë në grevë

Me rritjen e pagës minimale dhe mungesën e dëgjimit nga ana e Qeverisë për rritjen graduale të pagave të tjera, do të arrihet kolapsi i sistemit të pagave në administratë dhe gjyqësor, tha sot kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (PAOGJSHQ), Trpe Deanoski, transmeton Portalb.mk.

Me vlerën e re të pagës minimale, Qeveria për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut do të bëjë që një grup i tërë punonjësish në administratë që ishin pak mbi pagën minimale të marrin vetëm pagën minimale. Duke vepruar kështu, qeveria po nënçmon dhe poshtëron punonjësit e saj dhe së dyti po rrit përqindjen e punonjësve që marrin pagën minimale në nivel shtetëror nga 13.8 për qind në gati 18 për qind”, tha Deanoski.

Deri në këtë situatë kemi ardhur, tha Deanoski, për faktin se nga momenti i vendosjes së pagës minimale në vitin 2012 deri në rritjen e fundit të hënën, paga minimale do të rritet për 120 për qind të pabesueshme, ndërsa pagat në administratë dhe në gjyqësor që nga viti 2012 janë rritur me 9 ose 10 për qind. Ai shtoi se vitet e fundit në fusha të caktuara të sektorit publik pagat janë rritur deri në 25 për qind dhe pagat në administratë dhe në gjyqësor nuk janë rritur as edhe një herë.

Siç theksoi Deanoski, nëse Qeveria do t’i respektonte ligjet e veta dhe do t’i harmonizonte pagat me rritjen e pagës minimale siç është paraparë në nenin 8 të Ligjit për pagën minimale, një situatë e tillë nuk do të ndodhte.

“Në administratë dhe në drejtësi, sistemi i pagave bazohet në pikë që merren dy baza. Pikët për nivelin e arsimit dhe pikët për nivelin për të cilin është caktuar punonjësi. Nëse nuk do të ketë rritje graduale të pagave, do të ndodhë që të punësuarit nga nivelet më të ulëta t’i arrijnë të punësuarit me nivele të larta, ose të punësuarit me arsim të mesëm t’i arrijnë të punësuarit me arsim të lartë, tha Deanoski.

Kërkesat për rregullimin e pagave në administratë dhe gjyqësor në atë mënyrë që për bazë të pagës të merret vlera e pagës minimale dhe të gjithë të punësuarit të kenë pikë të caktuara për nivel, sipas PAOGJSHQ do të ishin zgjidhje ideale. sepse siç thonë ata asnjë punonjës në administratë nuk do të ishte me pagë minimale dhe për herë të parë në histori do të kemi një harmonizim të pagës me pagën minimale në administratë dhe gjyqësor.

Ndryshe, ata kanë paralajmëruar se do të detyrohen të aktivizojnë vendimin e marrë në muajin nëntor dhe pakënaqësinë e punonjësve ta shprehin me protesta apo forma të tjera presioni si greva.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, informoi se është arritur marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.

Ndërkaq, sot nga Sindikata e Pavarur Akademike kanë thënë që “kjo masë nuk duhet të barazojë punën e të punësuarve që kanë nivele të ndryshme arsimore dhe kryejnë punë me kompleksitet të ndryshëm. Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të reflektohet në masën e pagave të tjera në sektorin publik, koeficienti i të cilave është i lidhur me pagën minimale dhe mesatare. Shpresojmë që metodologjia e ndryshuar për llogaritjen e pagës minimale të respektohet në mënyrë konsistente, por njëkohësisht do të respektohen edhe rregulloret e tjera ligjore dhe marrëveshjet kolektive që rregullojnë këtë çështje”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button