VIRTYTE DHE VESE

Shqiptarët kanë virtyte dhe vese. Ata janë paragjykuar dhe paragjykohen. Si çdo komb tjetër.

Me studimin e imazheve dhe mirazheve, si konstrukte kulturore, shoqërore e politike, merret Imagologjia. Kjo disiplinë fokusohet te paragjykimet kombëtare, kulturore, fetare ose racore dhe u referohet udhëpërshkrimeve, teksteve letrare, historike, antropologjike, kulturore, politike apo mediale ku flitet për një popull.

Sipas shkrimeve të shkruara nëpër kohëra të ndryshme, vërehet se shqiptarët janë përçmuar e çmuar, janë paragjykuar e mbiçmuar, janë sharë e lavdëruar.

Shqiptarët janë vlerësuar për mikpritjen, besën, nderin, trimërinë, zgjuarsinë, aftësinë e përshtatjes në çdo rrethanë, por janë quajtur edhe egocentrikë, ishuj, aventuristë, qejfli.

Është thënë se shqiptarët flasin me figura, se kanë natyrë kureshtare, se vështirë ruajnë sekrete, se e nxjerrin mllefin nga vetvetja, prandaj vrasin e nuk vetëvriten.

Autorët sllavë, por jo vetëm, veçanërisht gjatë shekullit XIX, i kanë paragjykuar shqiptarët. I kanë quajtur grumbuj fisesh, pa gjuhë të vetme, pa unitet kombëtar, pa ndjenjë shtetërore.

Pasi shqiptarët gjatë kohë nuk e përkufizuan veten, ata u përkufizuan prej të tjerëve. Ashtu siç nuk ishin.

Për shqiptarët kanë shkruar edhe autorët shqiptarë. Konica foli me gjuhë më të ashpër për veset e shqiptarëve. Ernest Koliqi theksonte se shqiptari ka “mendësi me kontraste“; se herë është krenar e i shtruet dhe herë i rrëmbyer, i hovshëm; herë i ngutshëm e herë i ngadalshëm; se ka sedër të ndjeshme e dinjitet, kurse shpirti i përshkohet me hove të çuditshme rinore.

Autorë të shumtë kanë shkruar edhe për trimërinë e shqiptarit, e cila shpesh herë është vënë në shërbim kauzash të huaja. Për Konicën, trimëria e shqiptarit shpesh nuk ka qenë e artë, por e teneqejtë. Trimëria e vërtetë, thotë ai, është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme, kurse të tjerat “janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie”.

Shqiptarët shpesh luftuan për mbretër e perandorë të ndryshëm. Çdokush që kishte nevojë për ushtarë i kërkonte në tregun shqiptar. E shqiptarët e çonin dëm gjakun e tyre. Janë të njohur stradiotët, këta luftëtarë sypatrembur, që luftonin sipas mënyrës së tyre për ata që paguanin. Ka edhe të tjerë luftëtarë shqiptarë që luftuan anekënd Europës dhe larg saj kundrejt një page.

Shqiptarët pëlqejnë të flasin për çështje të përgjithshme, por në thelb janë individualistë. Anton Harapi i quan ego concentricum. Shumë autorë kanë thënë se shqiptarët duhet ta kultivojnë ndjenjën për jetën e përbashkët.

Në shkrimet dhe librat e autorëve të ndryshëm ka të vërteta e të pavërteta. Ka autorë që vazhdojnë t’i shumëfishojnë paragjykimet për shqiptarët dhe të tjerë që i hedhin poshtë. Viteve të fundit janë botuar disa libra interesantë nga autorë jo shqiptarë që flasin mbi këtë temë.

Për shqiptarët mund të shkruhen libra të karakterit imagologjik. Si janë parë nga të Tjerët? Si është krijuar figura e shqiptarit imagjinar? Si dhe përse janë paragjykuar? Si është krijuar mirazhi për ta?

Mund të shkruhen edhe libra e studime se si shqiptarët i kanë parë të Tjerët. Si paraqitet Tjetri në folklorin, artin, letërsinë, historinë apo mediat shqiptare.

Nga studimet serioze dëshmohet se shqiptari nuk është ksenofob, por është ksenofil. Shqiptari nuk ka frikë nga e huaja, madje e kap dalldia për gjithçka që vjen nga jashtë edhe kur nuk ka ndonjë vlerë. Ajo që vjen “nga jashtë” shpesh pranohet nga shqiptarët pa gjykim kritik.

Shqiptarët thonë: “Të huajin respektoje, por mos i beso!”, por ata më shumë i besojnë të huajit se shqiptarit. Shqiptari për shqiptarin shpesh ka qenë ujk. Kjo ndasi ka qenë pengesë për krijimin e një tërësie shtetërore. Ndasitë janë nxitur prej atyre që përfitonin nga përçarjet brendashqiptare.

Se shqiptarët janë ksenofilë e dëshmon fakti se sot më shumë lexohen e shiten librat e autorëve të huaj, edhe kur nuk kanë ndonjë vlerë, por nuk lexohen autorët më të rëndësishëm shqiptarë. Vjen një aventurier ndër viset tona dhe pritet me eufori. Vrapojnë mediat ta intervistojnë. Vrapojnë njerëzit të fotografohen për t’ia shtuar vlerat vetvetes. Ndërkohë lihen në harresë njerëzit që i kanë dhënë aq shumë kombit.

Është mirë që shqiptarët nuk janë ksenofobë (ata të huajin e pritnin si mik në shtëpinë e tyre) dhe ndryshe prej fqinjëve, asnjëherë nuk kanë pasur programe shoviniste për zhdukjen e kombeve. Në artin shqiptar nuk gjejmë elemente shoviniste, përveçse, mbase, te ndonjë autor i parëndësishëm, që askush nuk e merr në konsideratë. “Tjetri” te shqiptarët nuk është konsideruar si dikushi që duhet të zhduket prej faqes së dheut.

Raporti i shqiptarit “me tjetrin” është studiuar edhe nga studiuesit shqiptarë. Ka bërë studime me vlerë profesor Shaban Sinani, i cili ka ardhur te përfundimet e mësipërme. Filozofi boshnjak Ferid Muhiqi, kur i referohet “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, shkruan se në Kanun, në asnjë vend, nuk haset urrejtje etnike, kulturore ose religjioze. Kanuni si kod moral shpreh etnopsikologjinë shqiptare.

Të mos vuash nga ksenofobia është virtyt që duhet respektuar. Kjo i bën nder kulturës sonë. Por, edhe veset duhet të shërohen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button