Incidenti me futbollistët, Shvercerat distancohen, reagojnë ILIRËT

Pas ngjarjes së hidhur ku dy futbollistë të Bashkimit nga Kumanova dhe dy tifozë të këtij klubi kishin pësuar nga derbi i përgjakur shqiptar të dielën pasdite në ndeshjen e ligës së tretë-grupi Veri ndërmjet KF Shkupi dhe KF Bashkimi nga Kumanova në stadiumin e Çairit, reagojnë dhe grupet e tifozerisë.

“Shkupi dhe Kumanova, qytete të njohura për bujari, mikpritësi dhe fisnikëri, gjithashtu qytetet tona i karakterizon edhe vëllazëria, afërsia dhe lidhjet e shumta familjare mes vete. Andaj, ne grupi i tifozëve – Shvercerat, distancohemi nga akti vandal i pamatur dhe i papërgjegjshëm që ndodhi sot në shkallët e stadiumit tonë, pasi që ky akt as nuk ka reflektuar, nuk reflekton e as që do të jetë ndonjëherë pasqyrë e raporteve vëllazërore në mes Shvercerave dhe Ilirëve në veçanti, po ashtu edhe në mes dy qyteteve tona në përgjithësi” thuhet në reagimin e tyre përmes faqes zyrtare në Facebook.

Reagojnë ILIRIËT: Diçka është zier nga më herët!

Nga ana tjetër, tifozëria e Kumanovës “ILIRËT” në reagimin e tyre thonë se kur të gjithë priten festë dhe garë sportive ndodhi diçka shumë e rëndë, ndoshta incidenti më i rëndë i ndodhur ndonjëherë në fushat sportive, duke konsideruar kohen dhe rrethanat e tanishme.

“Shumë lajme dhe “isharete” vinin nga Çairi se kjo ndeshje do të jetë më shumë se ndeshje dhe me e egër se sa duhet. Askush s’donte t’i besonte këtyre paralajmërimeve të zeza, që në fakt u bënë realitet. Kryesia e klubit futbollistik “Shkupi”, është fajtore e drejtpërdrejtë e gjithçkaje që ndodhi, meqë nuk bëri organizimin e mirëfilltë dhe nuk ofroi kushte minimale të sigurisë. Çdo eskalim i situatës bie mbi organizatorin e ndeshjes si dhe ndaj personave tjerë që nuk e shfrytëzuan autoritetin e tyre për zbutjen dhe relaksimin e situatës, këtu bëhet fjalë për Artan Grubin, ish udhëheqësin e Shvercerave dhe Izet Mexhitin, kryetarin e Çairit” thuhet në reagimin e  tyre.

Sipas tyre, diçka është zier para kohe, duke hedhur dyshime për disa pyetje për atë se pse nuk është ndërmarrë asgjë për pengimin e futjes së personave të paautorizuar në fushë, ku pësuan lojtarët, stafi dhe publiku i tyre?

“Kush mban përgjegjësi, për lëndimet e fëmijëve të pafajshëm? Pse u rrahën në mënyrë brutale tifozët kumanovarë në shkallët e stadiumit nga “ky grup i vogel” e askush nuk intervenoj që ta pengojë këtë veprim? Presioni i paparë mbi referët, që në mënyrë më dashakeqe referuan në mënyrë skandaloze” shkruhet mes tjerash në reagimin e tyre.

Ata kanë kërkuar që klubi i Shkupit të dënohet rëndë për organizimin teje të dobët, të gjithë pjesëmarrësit në aktet vandale të dënohen dhe të ndiqen penalisht.

“Vetëm atëherë kur kjo do të ndodhë do të ketë edhe arsye edhe shkak që gara sportive të vazhdojë. Na habit fakti i mosreagimit të Ermira Mehmetit, bartëse e listës në njësinë zgjedhore nr 2, deputeteve të cilitdo kamp që i takojnë z. Rexhai Ismaili, Hajrulla Misini, Orhan Ibrahimi dhe zëvendësministrit Xhelal Bajrami. Ju keni obligim moral, patriotik, human dhe detyrues të dilni dhe të kërkoni drejtësi për këtë që ka ndodh, sepse bëhet fjale për popullin tuaj, ai qe ju zgjodhi dhe mbani postet falë tyre. Në fund, përkujtojmë Artan Grupin, që gjatë kampanjës parazgjedhore në Kumanovë tha: “Ne kërkojmë votën tuaj, për ta dërguar Bashkimin atje ku e ka vendin, në ligen e parë”. Jo Artan, s’ka nevojë ti ta dërgosh Bashkimin në Ligë të Parë, por lejo, mos pengo, që Bashkimi vetë, bashkë me Ilirët të hapërojë atje drejt suksesit dhe fitoreve, thuhet në reagimin e grupit të tifozëve Ilirët, pas incidentit të djeshëm në Shkup” thuhet në reagimin e Ilirëve.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button