Roli i prindërve në parandalimin e keqpërdorimit të teknologjisë

Edukimi familjar është baza e çdo edukimi të mëvonshëm, sepse në familje formohet personaliteti bazor dhe identiteti personal, nga ana tjetër lidhja dhe afërsia e fëmijës me prindërit e forcojnë mirëqenien e tij. Kjo është edhe parakusht për edukim të baraspeshuar. Fëmija i cili ka raportet e duhura me prindërit, është argument i mirë jo vetëm për suksesin në shkollë por edhe për sukses gjatë gjithë jetës.

Sot, gjithnjë e më tepër po krijohen lidhje e varësi të njeriut me teknologjinë, fëmijët po rriten të ekspozuar ndaj teknologjisë tradicionale dhe asaj moderne. Derisa shohim që rritja e përdorimit të teknologjisë tradicionale, siç është televizioni dhe përmbajtja e tij, në disa raste kanë efekt negativ në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve, studime të ndryshme të kohëve të fundit tregojnë se si teknologji të tilla moderne si: telefon të mençur, tablet dhe kompjuterë që janë zhvilluar dhe bëhen gjithnjë e më të përhapura në të gjithë botën përbëjë rreziqe shëndetësore për fëmijët.

Ky fakt është mjaft i rëndësishëm mbi rolin që mbartin prindërit si edukatorë të parë të fëmijëve, rol ky që është primar në parandalimin e keqpërdorimit të teknologjisë nga ana e fëmijëve. Duket se fëmijët janë ata që bien viktimë e papërshtatshmërisë ndaj përdorimit të pajisjeve të tilla teknologjike, pra bëhet fjalë për papërshtatshmëri për nga përmbajtja, kohëzgjatja, frekuenca dhe sjellja që ata përvetësojnë.

Po ashtu keqpërdorimi i teknologjisë paraqet një larmi rreziqesh shëndetësore, përfshirë problemet e zhvillimit fizik, muskulor-skeletor, pasiviteti fizik, mbipesha dhe cilësia joadekuate e gjumit. Në mënyrë që fëmijët të miratojë një stil të shëndetshëm të jetës, roli i prindërve në këtë çështje është i pazëvendësueshëm.

Është e rëndësishme të monitorohet koha, frekuenca dhe përmbajtja e shikuar gjatë përdorimit të pajisjeve teknologjike dhe të sigurohet që fëmijët kanë ose zhvillojnë mundësi të përshtatshme të aktivitetit fizik, zakone të shëndetshme të të ngrënit, cikle të përshtatshme gjumi dhe ekspozim ndaj informacioneve me përmbajtje të duhura njohëse.

Integrimi i teknologjisë digjitale në jetën e përditshme të fëmijëve dhe ndikimi i saj në zhvillimin e tyre njohës, emocional dhe shoqëror vazhdon të rritet dita ditës. Teknologjia ofron shumë mundësi që fëmijët të luajnë, të eksplorojnë dhe të mësojnë. Zhvillimet teknologjike janë kryesisht të ndryshueshme, dhe efektet gjithashtu varen nga lloji i pajisjes, lloji i përdorimit, sasia dhe masa e përdorimit, dhe karakteristikat e fëmijës.

Meqenëse fëmijët aktualisht po rriten duke përdorur teknologji shumë të personalizuar, prindërit duhet të përpiqen të sigurojnë që ata të jenë në gjendje të kenë, ushqimit të ekuilibruar, gjumë të rregullt, aktivitet të duhur fizik dhe ndërveprim pozitiv social, parakushte këto për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në aspektin e modelimit për përdorim të duhur të teknologjisë nga ana e fëmijëve të tyre duke vendosur një ekuilibër midis përdorimit të teknologjisë dhe aktiviteteve të tjera.

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm që përdorimi i pajisjeve teknologjike mund të ketë edhe efekte negative mbi fëmijët e tyre, efekte këto që mbartin pasoja serioze. Duhet të dihet se tek fëmijët nën moshën katër vjeçare roli i lojërave, posaçërisht lojërave në natyrë dhe jo duke u ekspozuar pajisjeve teknologjike do të ndihmojnë që fëmija të zhvillon të menduarit krijues dhe aftësitë individuale për zgjidhjen e problemeve.

Është shumë e rëndësishme që të reduktohet koha e përdorimit të teknologjisë gjatë ditës (p.sh., shikimi i televizionit dhe luajtja e lojërave në kompjuter, tabletë dhe telefona celularë) duhet të kufizohet në 1-2 orë. Kujdesi i veçantë duhet të ndërmerret që fëmijët e moshës 2 vjeç ose më të vegjël të mos lejohen të përballen me ekranin. Televizioni dhe pajisjet teknologjike të lidhura në internet duhet të mbahen larg dhomës së gjumit të fëmijës.

Nëse fëmijët lejohen të përdorin pajisje teknologjike, përdorimi i këtyre pajisjeve duhet t’i nënshtrohet rregullave të caktuara për përdorimin e telefonave celularë, televizionit, lojërave kompjuterike, internetit dhe mediave sociale. Këto rregulla duhet të vendosen dhe nuk duhet të komprometohen.

Shumica e fëmijëve shikojnë ekranin në kushte shumë të këqija dhe të dëmshme për forcën e syve, për faktin se e përcjellin shfaqet në ekran në errësirë të plotë, duke u mjaftuar nga drita që lëshon ekrani; kur kësaj t’i shtohet edhe fakti se ata ulen apo mbajnë  afër ekranin dhe i ngulisin sytë aty, kjo e shton edhe më shumë rraskapitjen e syve dhe dobësimin e tyre.

Përdorimi i tepërt i teknologjisë është i lidhur me mbipeshën dhe rrezikun kardiovaskular dhe ky rrezik tani vërehet dhe vinë në shprehje duke filluar nga fëmijëria e hershme. Fëmijët janë pasivë, ata nuk shpenzojnë energji në aktivitete të ndryshme dhe nuk shprehin interesim për to. Kështu shkaktohet mbipesha (obeziteti ) si problem global, që si dukuri ka pasoja negative fizike, psikologjike dhe sociale. Shkalla e mbipeshës tek fëmijët është trefishuar në 20 vitet e fundit.

Po ashtu, prania e një televizioni, kompjuteri ose telefoni celular në dhomën e gjumit gjatë fëmijërisë së hershme shoqërohet me më pak gjumë, gjë që është e dëmshme. Për problemet lidhur me gjumin që gjenezën e kanë pikërisht përdorimin e tepruar të teknologjisë kanë folur edhe autorë të tjerë duke theksuar se përdorimi i pajisjeve si shikim i televizionit, tablet, telefon celularë, kompjuter etj,  gjatë ditës gjithashtu mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit të mbrëmjes.

Fëmijët që përdorin në mënyrë të tepruar pajisjet nga teknologjia apo që përdorin media sociale të llojeve të ndryshme, është vërtetuar se përjetojnë shqetësime dhe çrregullime të gjumit. Qëndrimi në guaskën shtëpi-ekran e dëmton shëndetin mendor, sepse fëmijët janë të mbyllur, të vetmuar, të paaftë për t’u shoqëruar. Ata kanë mendime jo të mira për imazhin trupor të deformuar dhe pakënaqësinë me jetën reale.

Nga ana tjetër video lojëra të dhunshme mund t’i çojnë fëmijët në sjellje agresive dhe të pengojnë mundësitë për lojë kreative krijuese. Studimet kanë treguar se ekziston një lidhje e fortë midis dhunës në video lojërat dhe dhunës në jetën reale, dhe se këto lojëra çojnë në izolim shoqëror dhe mungesë të komunikimit adekuat me fëmijët.

Disa rekomandime:

  • Nuk parapëlqehet që fëmijët të paktën deri në moshën 2 vjeçare të ekspozohen para ekranit;
  • Prindërit duhet angazhuar në bllokim dhe fshirje të programeve, videolojrave… që shfaqin përmbajtje të papërshtatshme për fëmijë;
  • Caktimi i kohëzgjatjes si dhe kohës kur do jenë të ekspozuar para ekraneve;
  • Të shikuarit mundësisht bashkërisht me mbikëqyrjen e prindërve apo kujdestarit, me qëllim sqarimi të përmbajtjeve;
  • Larg serialeve e disa programeve muzikore për të rritur, përmbajtjeve të dhunshme, të frikshme, po ashtu jo të gjithë filmat vizatimorë, sepse disa shkaktojnë emocione negative tek fëmijët.

Ajo që fëmija do të kuptojë dhe do të integrojë, varet nga modelet që ka rreth vetes, Prindërit po ashtu edhe mësuesit lypset të mbajnë gjithmonë parasysh vargjet sintezë të Nolte:
Fëmijët mësojnë atë që jetojnë:

  • Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë;
  • Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur;
  • Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndjehet fajtor;
  • Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm;
  • Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim;
  • Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë;
  • Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë;
  • Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri;
  • Nëse një fëmijë jeton në urrejtje mëson të luftojë;
  • Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi mëson të gjejë dashurinë në botë.

Shkruan: Arita Jonuzi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button