Shkup, NTP ende pret përgjigje për kërkesën për ndihmë nga qeveria për shkak të rritjes së çmimit të metanit

Ka kaluar një muaj nga kërkesa e NTP-Shkup që Qeveria e RMV-së të marrë vendim për subvencionimin e funksionimit të Ndërmarrjes për Transport Publik, e cila që nga fillimi i vitit është përballur me rritje, për më shumë se dy herë, të çmimit të metanit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Përkundër kërkesës zyrtare që e kemi dorëzuar në Qeveri, nëpërmjet Qytetit të Shkupit, ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thonë për Meta.mk nga NTP-Shkup.

Rritja e çmimit të karburanteve sjell vështirësi në funksionimin e NTP-Shkup, por edhe tek autobusët privatë që i mirëmbajnë linjat qytet-periferi.

Nga NTP-Shkup thonë se për vështirësitë në funksionim i pranojnë subvencionet e zakonshme që ndahen nga Qyteti i Shkupit, të cilat edhe në të kaluarën janë paguar si ndihmë financiare. Gjatë kësaj periudhe ndërmarrja ka marrë masa edhe për punë racionale financiare. Në fillim të vitit NTP-Shkup doli me përllogaritje se shpenzimet e tyre për karburantet do të rriten nga 1 milion paraprak në mbi 2 milionë euro, vetëm në pjesën e përdorimit të metanit.

Me marrëveshjen e arritur mes “Gazpromit” rus dhe “Makpetrolit”, në fillim të vitit, çmimi i metanit është rritur nga 46,5 denarë në 110 denarë për kilogram. Sipas komunikatës djeshme nga “Makpetrol”,  çmimi i metanit për muajin shkurt do të jetë 96 denarë për kilogram, por edhe ky çmim është dy herë më i lartë se ai që paguhej si shpenzim për karburant para festave të Vitit të Ri.

Ndryshe, NTP-Shkup në vitin 2019 bleu 33 autobusë ekologjik nga prodhuesi gjerman “MAN”, të cilët si lëndë djegëse e përdorin metanin. Rritja e çmimit të metanit nga fillimi i vitit i rriti ndjeshëm shpenzimet e mirëmbajtjes së transportit publik, por deri më tani nuk ka njoftime për rritje të çmimit të biletave për linjat periferike.

Për rritjen e çmimit të metanit, përveç NTP-Shkup, kanë reaguar edhe autobusët privatë në Shkup. Televizioni “Alsat-M” para pak ditësh njoftoi se 25 autobusë të vjetër të transportuesve privatë janë kthyer në qarkullim nëpër rrugët e Shkupit, ndërsa autobusët e tyre ekologjikë me metan janë në garazhe dhe presin metan më të lirë ose ndihmë financiare nga qeveria.

Nga NTP-Shkup njoftojnë, për Meta.mk, se transporti publik i Shkupit mirëmbahet çdo ditë duke lëshuar në qrkullim 260-280 automjete. Ndonëse autobusët të cilët qarkullojnë me metan nuk janë shumicë në flotën e automjeteve, rritja e çmimit të metanit në këtë periudhë vjen paralelisht me rritjen e çmimit të naftës dhe derivateve të tjera të naftës.

Nëse nuk ka mundësi për sigurim të ndihmës financiare nga Qeveria e RMV-së, atëherë NTP-Shkup ka kërkuar nga Komisioni Rregullator i Energjetikës të marrë përsipër rregullimin e çmimit të metanit dhe të marrë vendim për ngrirjen e çmimit të tij, duke e përcaktuar çmimin që ishte më 31 dhjetor. 2021.

Pas rritjes enorme të çmimit të metanit, nga fillimi i vitit, Komisioni Rregullator i Energjetikës doli me deklaratë se nuk ka kompetencë për të rregulluar çmimin e këtij karburanti, pasi sipas Ligjit për Energjetikë, çmimin e tij e përcakton tregu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button