U shkarkua kryetari i Parlamentit të Malit të Zi

Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi në një seancë të jashtëzakonshme votuan për shkarkimin e Kryetarit të Parlamentit, Aleksa Beçiq, transmeton DW.

Gjithsej votuan 79 deputetë nga 81 sa numëron Parlamenti, 43 votuan për shkarkimin e tij, ndërsa 36 ishin kundër. Iniciativën për shkarkimin e Aleksa Beçiq e nënshkruan 38 deputetë të kryesuar nga partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit.

Beçiq është nga radhët e Demokratëve, të cilët e përcollën me diskutime të shumta seancën. Deputetët e shumicës parlamentare që në fillim bënë thirje për shtyrjen e seancës dhe kërkimin e një zgjidhje brenda shumicës, gjithsesi pa përkrahjen e Partisë Demokratike të Socialistëve.

Në një kohë që deputetët e Frontit Demokratik pro-serb dhe Demokratët vlerësuan punën e Aleksa Beçiq, deputetët e opozitës u shprehën, se në Parlament ka munguar dialogu thelbësor. Po ashtu ata theksuan, se nuk është përshpejtuar rruga drejt BE-së dhe se Beçiq funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal, e jo në interes të shtetit.

Beçiq: Shkarkimi është absurd

Deputetët Demokratë akuzuan kolegët nga radhët e URA-s për tradhti dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike të Socialistëve. Ndërkaq vetë Beçiq në fjalën përfundimtare tha se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka bazë dhe është absurd. “Nëse dikush dëshiron të bëjë shumicën me ata që i kemi mundur në zgjedhje, atëhere kemi të bëjmë me vetë-destruktim.” Kjo është rruga e vetë shkatërrimit politik, u shpreh ashpër Aleksa Beçiq, duke përmendur, se “është krenar për rezultatet e arritura dhe për atë se është funksionari i parë pas fitores historike të 30 gushtit të viti 2020”. Në fjalën e tij Beçiq veçoi arritjet e Parlamentit gjatë punës së tij dhe vlerësimet që ka marrë nga kolegë nga rajoni dhe bota.

Priten protesta

Ishte deputetja nga radhët e URA-s së Dritan Abazoviqit, Bozhena Jellushiq, e cila iu kundërvu akuzave të Demokratëve në Parlament. Ju po “akuzoni para se të shihni se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ajo dhe shtoi se Mali i Zi duhet të mësohet me faktin se nuk mund të vijnë ditë të mira pa ndryshim disa herë të qeverive.

Edhe pse në shikim të parë seanca e parlamentit përfundoi qetë, vetë Kryetari i Parlamentit tashmë i shkarkuar, tha se do të përdorin të gjitha format demokratike dhe do të kundërshtojnë formimin e shumicës me Partinë Demokratike të Socialistëve. Protestat e paralajmëruara për ditën e mërkurë më 9 shkurt mund të priten siç u tha, në të gjitha qytetet e Malit të Zi. Mbetet të pritet se ç’qëndrim do të mbajë Kisha Ortodokse Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pranë Frontit Demokratik dhe Demokratëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button