Dy dekada paqe në Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor është shprehje që është përdorur nga Unioni Evropian që nga fillimi i shekullit XXI. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shtetet që bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor. Me këtë term nuk pajtohet Kroacia, e cila mendon se nuk ka asgjë të përbashkët me vendet e tjera të grupit, një pjesë e publikut Kroat e interpreton këtë term si përpjekje për rindërtimin e Jugosllavisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur një përparim të madh në reformimin e politikave të tyre të sigurisë dhe të mbrojtjes falë ndërhyrjeve kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë duke u bazuar në dokumentet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të këtyre vendeve, janë disa rreziqe kyçe që mundë ta destabilizojnë rajonin dhe të shkaktojnë rishfaqjen e konflikteve të armatosura. Kërcënimet janë të natyrës politike-nacionaliste, etnike dhe fetare, ato të shtet formimit si dhe të kufijve të kontestuar (të pa përcaktuar).

Fantazitë e ndarjeve përgjatë vijave etnike po ringjallen në ish-Jugosllavi. Nëse Unioni Evropian nuk ja del të ndalë nacionalizmat, të njëjtat  kërcënojnë konflikte të reja dhe të pakontrolluara në Ballkanin Perëndimor. Në këto ide të fundit të paraqitura vihet në dukje edhe dobësia e Bashkimit Evropian, duke krijuar në rajon një vakum të rrezikshëm, shtuar kësaj situate edhe ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës.

Politikat nacionaliste të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor ‘për tu bashkuar’ përfunduan me gjenocid. Zvarritja e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, mundë të sjell konflikte etnike por edhe rritje të dukshme të migrimit. Ballkani Perëndimor për t’i evituar kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë i nevojitet një rritje e domosdoshme ekonomike më e shpejtë.

Ndër faktorët që kanë ndikuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për rreth dy dekada është përfshirja e NATO-s e cila i ka dekurajuar konfliktet e armatosura dhe e ka transformuar Ballkanin Perëndimor nga një rajon të shteteve të dërmuara nga lufta dhe në marrëdhënie fqinjësore armiqësore, në një rajon që është relativisht i qëndrueshëm. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara së bashku me Unionin Evropian me anë të organizmave të ndryshëm ekonomik, politik, ushtarak apo të sigurisë kanë rritur stabilitetin ekonomik, përmirësim e të drejtave të njeriut, parandalim të përshkallëzimit të konflikteve mes këtyre shteteve, krijimin apo tentimin për të arritur një fqinjësi të mirë.

Shkruan: Drin Alija

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button