Komiteti i Helsinkit: Mangësitë e shkollës nuk duhet të mbulohen nga ridiskriminimi i Ëmblas

Komisioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut shpreh shqetësim serioz pas deklaratës së kryetarit të Komunës së Gostivarit për rastin e Ëmbla Ademit ku tha se si institucion do të bëjnë një konkluzion përfundimtar me rekomandim nëse Ëmbla do të ndjekë mësimet në klasë me nxënësit e tjerë apo në një klasë për fëmijë me nevoja të veçanta, transmeton Portalb.mk.

Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut shprehen të shqetësuar me këtë deklaratë të kryetarit të komunës, siç thonë ata, Taravari në vend që të largojë dhe korrigjojë mangësitë e veprimeve të drejtorit dhe stafit mësimdhënës, sërish gishtin e drejton te nxënësja.

“Duke qenë se çdo fëmijë me aftësi të kufizuar kalon një proces të vlerësimit të funksionalitetit të tij, në bazë të të cilit përcaktohet lloji i mbështetjes që i nevojitet për përfshirje në arsimin fillor të rregullt, nuk ka asnjë bazë për të kërkuar një rikategorizim të nxënëses, që vetëm çojnë në stigmatizim shtesë të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Shkolla ka detyrim ligjor të sigurojë përshtatjen e duhur të procesit mësimor në bazë të vlerësimit të bërë dhe të ofrojë mbështetjen e duhur, si në rastin e sigurimit të një asistenti edukativ, i cili do të mundësojë përfshirjen e duhur të nxënëses në mësimdhënie”, njoftojnë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Nga atje shtojnë se me raportin nga inspektimi i jashtëzakonshëm i kryer nga Inspektorati Shtetëror Arsimor në shkollë, janë konstatuar lëshime në marrjen e masave të duhura për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në procesin arsimor, duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të shkollës Zijadin Nuredini si dhe dënim për mosveprimi sipas autorizimit.

Komiteti i Helsinkit apelon deri te kryetari i komunës që të përmbahet nga deklaratat joprofesionale dhe të pabaza që nuk janë në përputhje me Ligjin për arsim fillor dhe që shpie në diskriminim shtesë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por përpjekjet e tyre t’i orientojë në ofrimin e arsimit adekuat për nxënësit.

Komiteti thekson se do të vazhdojë të monitorojë rastin, e në veçanti veprimet e mëtutjeshme lidhur me lëshimet e konstatuara dhe përfshirjen e duhur të Ëmblas në procesin arsimor, konform ligjit.

Ndryshe, prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Bashkimi” në Gostivar bojkotuan mësimin pasi nuk donin që njëri prej fëmijëve, Ëmbla, të mësojë me fëmijët e tyre, me pretekstin se vajza është agresive. Por pasi rasti u shpërnda në media dhe shoqëri, Ëmbla u kthyer në klasë me fëmijët, prindërit e të cilëve donin ta largonin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button