Shtëpia e Bardhë: Këshilltari i lartë për shkencën keqtrajtoi personelin, kërkoi ndjesë

Shtëpia e Bardhë pas një hetimi gjeti prova të besueshme se këshilltari për shkencën, Dr. Eric Lander ka shkelur “Politikën për një Mjedis të Sigurt dhe të Respektueshëm në Punë”, por administrata planifikon ta mbajë atë në punë pasi t’i ofrojë atij këshillim, transmeton VOA.

Një hetim i brendshëm vitin e kaluar, i nxitur nga një ankesë në vendin e punës, gjeti prova se Dr. Lander, drejtori i Zyrës së Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë dhe këshilltari shkencor i Presidentit Joe Biden, ka ushtruar bulizëm ndaj punonjësve dhe nuk ka treguar respekt ndaj tyre. Kjo e vuri atë në kundërshtim me direktivën e parë të Presidentit Biden, sipas së cilës, ai priste “ndershmëri dhe mirësjellje” nga të gjithë ata që punojnë për administratën e tij dhe do të pushonte menjëherë nga puna këdo që tregonte mungesë respekti ndaj të tjerëve.

Shtëpia e Bardhë tha se zyrtarë të lartë të administratës janë takuar me Landerin në lidhje me veprimet e tij dhe drejtuesit të tjerë të zyrës së tij. Në takim është vendosur që Dr. Lander dhe Zyra e Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë duhet të ndërmarrin veprime të caktuara korrigjuese si pjesë e këtij vlerësimi.

“Udhëheqja e Shtëpisë së Bardhë u takua me Dr. Lander për të diskutuar seriozitetin e çështjes dhe pritshmërinë e Presidentit që të gjitha ndërveprimet e stafit të kryhen me respekt”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. “Ne e konsiderojmë këtë një çështje jashtëzakonisht serioze dhe po marrim masa të shpejta për të siguruar që kjo të mos ndodhë më.”

Shtëpia e Bardhë tha se hetimi nuk gjeti “prova të besueshme” të diskriminimit me bazë gjinore dhe se transferimi i individit që paraqiti ankesën origjinale “u konsiderua i përshtatshëm”.

Të premten, Dr. Lander u kërkoi falje punonjësve në zyrën e tij, duke pranuar se: “Kam folur me kolegët brenda i Zyrës së Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë në një mënyrë nënçmuese ose pa respekt”.

“Më vjen shumë keq për sjelljen time”, shtoi ai. “Unë veçanërisht dua t’u kërkoj falje atyre që i kam trajtuar keq, ose atyre që ishin të pranishëm në ato momente.”

Dr. Lander, posti i të cilit u ngrit në anëtar kabineti nga Presidenti Biden, u shfaq përkrah presidentit javën e kaluar kur ai rifilloi programin e tij “Cancer Moonshot” për të mbledhur burime federale për studimin dhe trajtimin e sëmundjes së kancerit.

Drejtori themelues i Institutit Broad të Institutit Teknologjik të Masaçusetsit dhe Universitetit të Harvardit, Dr. Lander është një matematikan dhe biolog molekular. Ai është autori kryesor i punimit të parë që shpalli detajet e gjenomit njerëzor, të ashtuquajturit “libri i jetës”.

Konfirmimi për postin e tij në administratën e Presidentit Biden u vonua me muaj të tërë pasi senatorët kërkuan më shumë informacion në lidhje me takimet që ai kishte me të ndjerin Jeffrey Epstein, financierin e akuzuar për trafik seksual, përpara se ai të bënte vetëvrasje. Dr. Lander gjithashtu u kritikua për nënvlerësimin e kontributit të dy grave shkencëtare, fituese të çmimit Nobel.

Në seancën e tij të konfirmimit vitin e kaluar, Dr. Lander kërkoi falje për një artikull të tij të vitit 2016 që minimizonte punën e shkencëtareve. Në seancë, ai gjithashtu e quajti Epsteinin “një individ të neveritshëm.″

Dr. Lander tha se ai “nënvlerësoi rëndësinë e përparimeve të kyçe” të arritura nga biokimistet Emmanuelle Charpentier dhe Jennifer Doudna. Të dyjat më vonë fituan Çmimin Nobel në Kimi.

Gjetjet kundër Landerit u raportuan fillimisht nga gazeta Politico.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button