Eksperti i aviacionit Gjorgji Çaçkirov: Avio-linja Sofje-Shkup jofitimprurëse si për linjën ajrore ashtu edhe për udhëtarët

Avio-linja e paralajmëruar Sofje-Shkup nuk do të jetë fitimprurëse as për kompaninë ajrore dhe as për udhëtarët, nëse nuk subvencionohet, thotë Gjorgji Çaçkirov, inxhinier trafiku – pilot profesionist, ish-drejtor i Agjencisë së Aviacionit Civil dhe drejtor i operacioneve fluturuese të Paler Macedonia dhe MAT, raporton Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimeve të ministrit bullgar dhe maqedonas të transportit, linja duhet të fillojë të funksionojë në fillim të marsit dhe vjen pas premtimit të kryeministrit bullgar Kiril Petkov, i cili tha se është një kompromis nga pala bullgare në negociatat me Maqedoninë, pasi ata do të financojnë linjën.

Çaçkirov thotë se kjo linjë është jopraktike për sa i përket mbërritjes më të shpejtë në destinacionin e dëshiruar dhe shpjegon:

“Për fluturimet ndërkombëtare, udhëtarët duhet të mbërrijnë në aeroport, një orë e gjysmë deri në dy orë përpara kohës së planifikuar për fluturimin përkatës. Arsyet për këtë janë përgjithësisht të njohura dhe përfshijnë zbatimin e doganave ligjore ndërkombëtare, kontrolleve dhe procedurave policore dhe të sigurisë. Koha e fluturimit në një drejtim, në varësi të llojit të avionit dhe procedurave të aeroportit, do të ishte rreth 30-45 minuta. Nëse i hidhni një vështrim të shkurtër kohëzgjatjes së udhëtimit nga Shkupi në Sofje ose anasjelltas, do të duket kështu: nisja nga shtëpia të paktën 45 minuta (kurse në Sofje edhe më shumë) përpara kohës së mbërritjes në aeroport, vijojnë rreth 2 orë për kontrolle, më pas gjysmë ore ose 45 minuta fluturim dhe rreth një orë pas mbërritjes, kontrolle pasaportash dhe doganore, deri në dalje nga aeroporti dhe sërish gjysmë ore deri në një orë transport në qendër të qytetit. Sipas kësaj matematike, nëse udhëtoni me aeroplan nga ose për në Shkup, duhet të planifikoni një kohë totale të udhëtimit rreth 4-5 orë”.

Më tej, thotë ai, sa më i shkurtër të jetë destinacioni, aq më i lartë është çmimi, bazuar në kilometër. Çaçkirov thotë se në çmim do të duhet të llogariten harxhimet për taksat e aeroportit që nuk varen nga kohëzgjatja e fluturimit dhe gjithë kësaj duhet t’i shtohet transporti deri në nisje dhe në aeroportin e destinacionit.

“Për çdo avio-kompani, me siguri, destinacionet më të shkurtra janë më të shtrenjtat. Arsyet janë të thjeshta: përdoren burimet ‘ciklike’ të avionit dhe pjesët e tyre të veçanta, kurse më pas përdorimi jo shumë efektiv i ekuipazhit fluturues, teknik dhe i kabinës. Nisur nga të gjitha sa më sipër, mund të them paraprakisht se, nëse kjo linjë ajrore nuk do të subvencionohet, nuk do të jetë aspak e ‘lirë’ dhe aq më pak fitimprurëse për kompaninë ajrore që do ta realizojë, si dhe për udhëtarët e këtyre fluturimeve. Kjo është arsyeja kryesore pse fluturime të tilla të shkurtra nuk ekzistojnë edhe me linjat ajrore me kosto të ulët”, tha Çaçkirov.

Ministri maqedonas i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski këtë fundjavë tha se linja ajrore “Gulliver” është e interesuar për linjën, e cila aktualisht operon vetëm një linjë të rregullt, atë të brendshme Sofje-Burgas, ndërsa në faqen e tyre ka njoftim se linja Sofje- Tiranë do të hapet së shpejti. Gulliver ka një flotë prej gjashtë avionësh, tre Airbus A330 për fluturimet jashtë shtetit dhe tre turbo-helikë të vegjël ATR-72 për destinacionet me distanca të shkurtra.

Ministri bullgar i Transportit dhe Lidhjeve Nikolai Sabev paraprakisht tha se linja Sofje-Shkup fillimisht do të subvencionohet nga shteti, kurse më pas do të shihet qarkullimi i udhëtarëve në të dy drejtimet në mënyrë që të bëhet një analizë e saktë nëse mund të mbijetoj.

Fluturimet e para midis Shkupit dhe Sofjes filluan në vjeshtën e vitit 1992, kur “Hemus Air” fluturoi me L-140, i cili mblidhte 18 udhëtar. Më vonë, fluturimi zhvillohej me aeroplanë më të mëdhenj Jakovlev Jak-40 dhe Tupoljev Tu-140 u fluturuan, pasi e përdornin udhëtar nga nga Kosova në linjën Sofje-Oslo. Por pas disa vitesh interesi u zvogëlua dhe fluturimet ndaluan.

Pas hyrjes së Bullgarisë në BE, linja Sofje-Shkup u rinovua në dhjetor të vitit 2007. Kësaj radhe fluturonte “Bulgaria Air”, tre herë në javë me ATR-42, me kapacitet prej 40 pasagjerësh, me çmim prej 49 eurosh. Por edhe këto fluturime nuk arritën të tërhiqnin mjaft pasagjerë dhe u anuluan sërish.

Përpjekja e fundit për të krijuar linjën ishte në vitin 2010 dhe ishte jetëshkurtër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button