Një votë, një botë?!

Pasi gjendemi në ditët mes dy rretheve zgjedhore ende nuk mund të përmbyllen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Kjo pasi ende nuk del përfitimi përfundimtar për të cilin janë të interesuara subjektet që garojnë në këto zgjedhje e ajo është numri i kryekomunarëve. Ajo që, tani për tani, mund të llogaritet janë dëmet që u shkaktuan me këto zgjedhje.
Dëmi i parë mund të jetë se Maqedonia prej tani do kualifikohet në lloje tjera të vendeve. Kjo si pasojë e krejt tensioneve, euforisë dhe panikut që u shkaktua në një palë zgjedhje lokale, të cilat në esencë dhe me definicion janë zgjedhje më pak politike prej krejt tjerave. Prej tani vetëm mund të paramendojmë se me çfarë paniku do jenë të mbështjellura zgjedhjet tjera të ardhshme, që janë ku e ku më politike, ato parlamentare apo presidenciale.|

Kështu rreshtat e para të raporteve preliminare të vëzhguesve ndërkombëtarë për këto zgjedhje ishin të njëjta me ato të reporterëve të luftës: qetë, këto incidente etj.etj. Duhet të presim nëse edhe në raportet përfundimtare do na trajtojnë si front lufte apo do bëjnë punën e tyre duke evidentuar gjithë mbytjen e institucioneve, përdhunimin e medieve dhe çoroditjen e demokracisë dhe votës së lirë. Kjo pasi në këto zgjedhje kishim ofendim nga kryeministri në baza etnike, kërcënime për mosbashkëpunim nga institucionet kundër kandidatëve të pavarur dhe të opozitës. Si dhe raste të dokumentuara të falsifikimit të procesit zgjedhor. Përfaqësuesit ndërkombëtarë sikur ambasadori britanik, do bënin tamam punën e tyre nëse në vend se, në mes dy rretheve të bën apel për mospërdorim të retorikave të dëmshme, në fund të zgjedhjeve të evidentojnë gjithë këto dëme dhe fenomene të dëmshme për sistemin demokratik të Maqedonisë. Kjo pasi gjendja e votimit dhe procesit zgjedhor në Maqedoni është vërtet tragjike, ndonëse pa derdhur gjak, kjo gjë tani duket vetëm si teorike.

Në pjesën shqiptare dëmet mund të jenë edhe më të mëdha dhe të përfshihen nën atë thënien e kamotshme: nxori sytë duke vënë vetulla. Krejt kjo si pasojë e asaj se subjektet që prezantohen si parti politike shqiptare, me sjelljet e tyre në vazhdimësi, e zbritën hisen e tyre në vendimmarrjen në nivel qendror deri në atë pikë sa që ajo aktualisht mbahet si fije e hollë që mund të këputet edhe si pasojë sporadike e dicckaje shumë tjetër dhe prej shumë larg. Kjo mund të jetë edhe me, ta zëmë, aferën e Telekomit që tani plasi edhe në Slloveni dhe që, pasi bëhet fjalë për të njëjtën firmë dhe rrethe që kanë qenë edhe këtu, mund shumë të reflektohet në jetën politike në Maqedoni. 

Kjo sepse mu këto politikanë shqiptarë ia mundësuan kontrollin total të institucioneve qendrore vetëm një njeriu si Gruevski dhe kjo tani u kthehet shumë keq. Sigurisht, rrugës, duke shkaktuar dëme të mëdha në zhvillimin politik të shqiptarëve të këtushëm. Kjo ndodh në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, në Gjykatë Administrative, nesër në Gjykatë Kushtetuese dhe shumë institucione tjera. 

Kjo është edhe sqaruesi i përbashkët i skandaleve më të mëdha të javës së kaluar e që dëmtojnë rëndë politikën shqiptare këtu në Maqedoni. Falsifikimi i zgjedhjeve në Çair, videoja në maqedonisht e kandidatit dhe kryetarit aktual për Tetovë dhe rrahja dhe therrja, ndërshqiptare, që iu bë futbollistëve kumanovarë, në ndeshjen në Shkup. 
Shkurt thënë krejt këto u bënë pasi shteti në tërësi iu la në duar tjetërkujt dhe shqiptarët politikisht u mjaftuan me një gisht ose dy gishta, e që do dridhen sa herë që të përmendet telekomi, interpromi ose diçka tjetër e ngjashme. Turp e marre e zezë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button