fbpx

Qeveria me ligj të ri: s’ka më nevojë për votime!

Gjatë viteve të fundit në Maqedoni kemi pasur shumë zgjedhje – lokale, parlamentare, presidenciale, të rregullta e të parakohshme, madje edhe referendume. Ministria e financave ka njehsuar se këta zgjedhje i kanë kushtuar Maqedonisë 3 miliardë e gjysmë Euro. Për një vend si Maqedonia, dhe në një kohë kur bota është në krizë ekonomike, kjo e rëndon jashtëzakonisht buxhetin dhe qytetarët e Maqedonisë. Andaj, me qëllim të kursimit, dhe përdorimit më efikas të mjeteve buxhetore, Qeveria e Maqedonisë ka propozuar ligj i cili me saktësi dhe në mënyrë transparente cakton fituesin e zgjedhjeve, dhe mbi të gjitha kjo mënyrë nuk le hapësirë për manipulim.

Ligji parasheh fituesin e zgjedhjeve parlamentare ta caktojë kryeministri në fuqi, por ai është i detyruar që nëpërmjet medieve të besueshme dhe nën kontroll të qeverisë, në mënyrë transparente të tregoj se sa deputet kërkon dhe ky numër nuk mund të ndryshohet gjatë mandatit. Pas kësaj numri i mbetur i deputetëve ndahet nga partitë tjera. Kjo ndarje do të behet në bisedime dhe negociata të drejtpërdrejta me kryeministrin në mënyrë fer dhe demokratike.

Pas kësaj kryeministri edhe një herë, para publikut e tregon numrin e saktë te deputeteve për secilën parti. Numri do të varet nga kualiteti i programeve qe do të ofrojnë partitë dhe këtë do e vlerësojë vet kryeministri me ekipin e ekspertëve të mbledhë për këtë qëllim. Pas kësaj, krerët e partive që do formojnë qeverinë, në mënyrë demokratike do të caktojnë emrat e deputetëve dhe ministrave. Të gjithë këta informata do të publikohen në ueb faqen e qeverisë dhe në gazetën zyrtare te Republikës së Maqedonisë.

Ngjashëm do të jete edhe për zgjedhjet lokale, dallimi është që në vend se për numër të deputetëve, në këtë rast do të negociohet për numër të komunave. Edhe këtu, kryeministri si person me më shumë përgjegjësi do të duhet para publikut të tregoj i pari se sa komuna dëshiron partia e tij. Më tej, në pajtim me marrëveshjen e Ohrit, por edhe sipas strukturës demografike, partia më e madhe shqiptare do të zgjedh numrin e komunave. Me rastin e zgjedhjeve lokale, procesi përfundon këtu, pasi ekspertët kanë vlerësuar se më mirë është që me komunat të udhëheqin vetëm dy parti – një shqiptare dhe një maqedonase. Me çka u iket koalicioneve etnike të partive dhe ndikohet pozitivisht në bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme etnike në Maqedoni.

Krejt kjo ka për qëllim ta rris përgjegjësinë e partive politike dhe rritjen e kapacitetit demokratik te tyre. Më me rëndësi është që harxhimet do te zvogëlohen dukshëm dhe mjetet e kursyera do te përdoren për projekte në dobi të qytetareve. Planifikohet që me mjetet e kursyera të ndërtohet nga një replikë më e vogël e “Ushtarit në kal” në secilën komunë dhe nga një përmendore sipas kontekstit kulturor dhe historik të komunës.

Ekspertët dhe analistët vlerësojnë se Ligji do të kontribuoj në forcimin e demokracisë në Maqedoni, por mendojnë që mangësia e vetme e këtij ligji është që i jep përparësi kryeministrit aktual. Anëtarët e opozitës theksojnë që ky ligj është anti-evropian.

Ligji do te hyjë nesër ne procedurë parlamentare, dhe pritet që në mënyrë të shpejt dhe efikase te miratohet.

Mendohet se nuk është mirë që ky ligj me rendësi të sillet me 1 Prill që në popull njihet si dita e rrenave. Madje, edhe këtë lajm e bën të pabesueshëm.

*****************************************************

Besojmë që shumica e lexuesve tanë e kanë kuptuar që ky ishte një lajm i rrejshëm me rastin e 1 prillit. Arsyeja pse e botuam këtë artikull, nuk është se i kushtojmë rëndësi kësaj feste pagane, por se ngjarjet dhe dukuritë e viteve të fundit në vendin tonë, i bëjnë këta lajme të besueshme, të pranueshme dhe për fat të keq gradualisht mësohemi me ta. Madje, nuk do të habiteshim edhe po që se miratohet një ligj si ky që përshkruajmë në këtë lajm.
Kërkojmë ndjesë po qe se ju kemi lënë përshtypje të gabuar apo shqetësuar në çfarëdo mënyre me këtë lajm. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button