Gjykata Kushtetuese mbyll seancën për Metën, brenda 30 ditësh jepet vendimi

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë, raporton TCH.

“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, tha Balla.

Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

“Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyre të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluar vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera.

Presidenti ka vendosur ti drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër Është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedure hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam. Edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj.”, tha Dervishaj.

E megjithatë mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, nënvizuan se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në katër muajt e fundit të mbarimit të mandatit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button