fbpx

Ofensiva diplomatike e Macronit në Rusi

Presidenti francez, Macron viziton Rusinë. Në takimin me presidentin rus, Vladimir Putin ai dëshiron të ulë tensionet në krizën mes Rusisë e Ukrainës dhe të forcojë rolin e evropianëve, raporton DW, transmeton Portalb.mk.

Nëse është e vërtetë thënia që nuk do të ketë të shtëna për sa kohë që kundërshtarët janë ulur në tryezën e bisedimeve, atëherë vizita e Emmanuel MacronitMoskë të hënën i shërben qëllimit për të blerë kohë përballë një kërcënimi të mundshëm lufte. Franca kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian këtë periudhë gjashtëmujore, duke i dhënë kreut të shtetit francez edhe legjitimitet për të udhëhequr një ofensivë diplomatike nga vendet evropiane. Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjendet tani për vizitë në SHBA, ndërsa një javë më vonë do të udhëtojë në Ukrainë dhe Rusi, ku do të angazhohet për zgjidhjen paqësore të krizës.

Bisedimet e domosdoshme

Në ditët e fundit, Macroni ka biseduar me Vladimir Putinin disa herë në telefon dhe tani ka më shumë kontakte me presidentin rus, se çdo president apo kryeministër tjetër evropian. Diplomatët francezë arrijnë në përfundimin se shefi i Kremlinit nuk është plotësisht kundër bisedimeve me Parisin dhe kryeqytete të tjera të BE-së, pavarësisht refuzimit të tij fillestar për të biseduar me evropianët. Putini fillimisht thoshte se personi i vetëm me të cilin mund të bisedohet për zgjidhjen e mospajtimeve është presidenti i SHBA, Joe Biden.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane në fund të janarit, presidenti francez e bëri të qartë se çfarë dëshiron të arrijë. Asnjëherë nuk duhet të “heqësh dorë nga dialogu me Rusinë”. Dhe si partnerë në këtë dialog ai përmend NATO-n, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), takimet e të ashtuquajturit formati i Normandisë (Francë, Gjermani, Rusi, Ukrainë) dhe në fund Bashkimin Evropian. “Ne duhet t’i shterojmë të gjitha këto forma deri në fund,” tha Macron, e qëllimi është garantimi i sigurisë së kufijve të Ukrainës dhe Evropës në tërësi.

Ndërkohë është mbajtur një takim i këshilltarëve të rangut të lartë në formatin e Normandisë në Paris në janar. Parisi dhe Berlini e shohin këtë fakt si një shenjë të ringjalljes së këtij formati bisedimesh, sepse ky grup është takuar për herë të fundit në nivel presidencial në vitin 2019.

Macroni po bën fushatë

Gjithçka ka të bëjë me uljen e tensionove, thotë presidenti francez. Kështu u shpreh edhe në fillim të fushatës zgjedhore në Francë, sepse ai do të luajë rolin e një politikani paqëbërës në arenën ndërkombëtare. Por rreziku ekziston që Macron të kthehet nga Moska duarbosh, e kjo do ta turpëronte ate dhe do të dobësonte pozitën e tij në garën me kundërshtarët e tij politikë.

Në raportet e Macronit me presidentin rus ka lëkundje të mëdha. Në fillim të mandatit të tij, ai u përpoq t’i bënte përshtypje Putinit duke e ftuar në Pallatin pompoz të Versajës ose duke krijuar një marrëdhënie personale me të në shtëpinë e tij të pushimeve në bregdetin e Mesdheut. Por presidenti rus injoroi përparimet franceze dhe dialogu i shpresuar për një arkitekturë evropiane të sigurisë nuk u realizua.

Kryeredaktori i të përditshmes franceze Le Monde beson se presidenti francez dhe qeveria e tij janë bërë tani më realiste. “Nga njëra anë vazhdon ofensiva e sharmit nga Macroni ndaj Kremlinit, që ka shqetësuar disa partnerë evropianë. E nga ana tjetër, vullneti i Rusisë për t’u fuqizuar në arenën ndërkombëtare është rritur në mënyrë spektakolare – në dëm edhe të interesave franceze”, shkruan Sylvie Kauffmann. Dërgimi i paralajmëruar i mercenarëve rusë nga i ashtuquajturi Grupi Wagner në Mali, ku misioni ushtarak francez është nën presion të madh, ka hapur sytë e Parisit.

Macroni tani e quan Rusinë një “fuqi destabilizuese” që po sulmon ish-republikat sovjetike me sulme hibride, gjë që është shqetësuese edhe për sigurinë e Evropës. Qeveria franceze ishte e para që në nëntor kërcënoi me “pasoja të rënda”, nëse Rusia pushton Ukrainën. Parisi nuk dëshiron më të akuzohet se është shumë i butë apo edhe bashkëpunëtor i Moskës dhe me në këtë mënyrë po përçan BE-në.

Para udhëtimit të tij në Moskë, Macron nuk foli vetëm me Joe Biden, por edhe me kancelarin gjerman, ndonëse në këtë bisedë ai ishte më i vendosur se Scholzi. Presidenti francez theksoi se Polonia kryeson aktualisht OSBE-në, ndërsa Berlini presidencën e vendeve të G7 dhe si të tilla duhet të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve.

Siguria Evropës

Por disa qeveri të Evropës Lindore janë të zemëruara, sepse nuk janë ndjerë mjaftueshëm të përfshirë në këto zhvillime. Qeveria federale ka ftuar krerët e qeverive të vendeve baltike në Berlin. Ndërsa nga mesi i shkurtit kancelari do të udhëtojë fillimisht në Kiev dhe më pas në Moskë.

Sidoqoftë presidenti Macron dëshiron të hedhë poshtë përshtypjen se evropianët nuk kanë çfarë të thonë në përpjekjet diplomatike për të zgjidhur krizën, thotë Tara Varma nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Franca mendon se këtu bëhet fjalë për sovranitetin evropian. Parisi dëshiron të forcojë pozicionin e BE-së dhe në të njëjtën kohë të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur luftën.

Presidenti francez po e vendos sigurinë e Evropës në qendër të vëmendjes. Ai jo vetëm po kërcënon me sanksione ekonomike, por po i dërgon gjithashtu një sinjal ushtarak Moskës. Parisi po dërgon trupa franceze në Rumani për të forcuar praninë e NATO-s atje. Çështja esenciale e raporteve të Evropës me Rusinë është që me Putinin të bisedohet por që njëkohësisht t’i tregohen edhe kufijtë deri ku mund të shkojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button