Analizë e “Euroactiv”: Muri i Berlinit akoma nuk ka rënë për Shkupin

Në vend që të jetë lidere në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria nuk ka interes ta rrethojë vendin fqinj me mur të ri Berlini, thotë për Euractiv profesori bullgar Ivo Inxhov, ekspert për komunikime politike, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, Bullgaria nuk mund të lejojë që ta bllokojë fqinjin e saj perëndimor për një kohë të gjatë, pasi kjo do të krijojë një valë të re antibullgare në shoqërinë maqedonase.

Inxhov gjithashtu konsideron se kryeministri bullgar Kiril Petkov ka të drejtë se me intensifikimin e bashkëpunimin ekonomik, mund të krijohet një atmosferë besimi midis dy vendeve.

Profesori bullgar i historisë Stefan Deçev, nga ana tjetër, beson se politika e jashtme duhet t’i lihet që ta udhëheqë qeveria në Sofje.

Ai pajtohet me deklaratën e kryeministrit të Bullgarisë Kiril Petkov se Sofja është vonuar shumë me me qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Problemi i vetëm që shoh është se qeveria nuk po shfrytëzon mediat në mënyrën më të mirë për të shpjeguar politikat e saj,” tha ai për Euractiv.

Teksti “Muri i Berlinit ende nuk ka rënë për Shkupin” në “Euractiv” kujton se Petkovi po përpiqet të ndryshojë qasjen ndaj Shkupit për të kompensuar kohën e humbur, siç thotë ai, 30 vjeçare. Ai vizitën e parë në Shkup e bëri menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë. Disa ditë më vonë vizita e tij u kthye me një formë të re të seancës së përbashkët qeveritare të dy qeverive të mbajtur në Sofje në fund të janarit.

Në të njëjtën kohë, Sofja njoftoi edhe se do të intensifikojë dialogun me vendet anëtare të BE-së që nuk e kuptojnë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në mungesë të politikës, thuhet në tekst, mediat përhapin retorikë të ashpër – për shembull MPJ-ja bullgare, pas takimit të Pendarovskit me përfaqësuesit e “OMO Ilinden”.

Në Bullgari, kjo organizatë u regjistrua si parti në vitin 1999, por regjistrimi i saj u anulua një vit më vonë. Radev vlerësoi se përfaqësuesit e tyre kanë “pikëpamje separatiste dhe pretendime ndaj pakicës”. Pikërisht për këto arsye organizata u shpall antikushtetuese. Megjithatë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nuk sheh asnjë kërcënim për sigurinë kombëtare të Bullgarisë nga OMO Ilinden dhe insistonte që të regjistrohet, duke kujtuar vlerën thelbësore të BE-së – të drejtën për vetëvendosje të lirë. Bullgaria ka injoruar vazhdimisht vendimet e GJEDNJ-së për këtë çështje dhe organizata konsiderohet ende rrezik për integritetin e saj territorial,” shtoi Euractiv.

Për dallim nga presidenti, theksohet në artikull, kryeministri Petkov ka injoruar temën “OMO Ilinden”. Emancipimi i tij nga Radevi, mentori i tij i dikurshëm, kalon në një provë të madhe: rënien e Murit të Berlinit në Shkup. Nëse ia del, nuk do t’i sjellë lavdi – do të jetë sukses nëse nuk shpallet “tradhtar i kombit”, thuhet në tekstin e “Euractiv”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button