Mbaroi bojkoti i mësimit në fshatin Odër, u sigurua ngrohje alternative

Gjysmëvjetori i dytë në shkollën fillore “Faik Konica” në fshatin Odër, Komuna e Tearcës filloi një javë me vonesë, kjo si rezultat i bojkotit nga ana e prindërve pasi klasat ishin të ftohta nga defektet e sistemit të ngrohjes dhe dritareve të aluminit. Për këtë komuna u siguroi zgjidhje alternative për këto dy muaj me instalimin e kaloriferëve, ndërsa gjatë pushimeve verore premtoi sanim të sistemit të ngrohjes nga e para, nëse kjo nuk do të bëhet prindërit paralajmërojnë bojkot përsëri në shtator, shkruan Portalb.mk.

Nxënësit e shkollës së fshatit Odër në ditën e tyre të parë të shkollës për gjysmëvjetorin e dytë i kishin hequr palltot brenda klasave pasi të njëjtat tani janë pajisur me mjete shtesë të ngrohjes dhe ambientet janë më të ngrohta, kjo erdhi si rezultat i bojkotit njëjavor nga ana e prindërve dhe kërkesës së tyre.

Mëngjesin e sotëm kur vizituam shkollën po bëhej instalimi i ngrohjes edhe në tualete, pasi më parë nuk ka pasur.

Nxënësit e kësaj shkolle pohojnë se tani nëpër klasa është më ngrohtë.

“Po, sot jena shumë ngrohtë, i kemi heq palltot”, tha një nxënës

“Po jena më ngrohtë”, tha një tjetër nxënës.

“Po jena shumë ngrohtë”, tha një nxënëse.

Naim Xhelili, nga këshilli i prindërve tha se bojkoti sot mbaroi dhe se në mëngjes ngrohjet nuk ishin instaluar në tualete por u rregullua më vonë.

“Në mbledhjen e fundit që kishim me kryetarin e komunës ku në linjë telefonike u inkuadrua edhe ministri i Arsimit, së bashku u zotuan dhe na gjetën disa mjete shtesë për të ngrohur objektin e shkollës për të filluar procesi edukativo arsimor, kaloriferë quhen. Vlen të theksohet se në mbledhjen e fundit, kryetari dhe ministri u zotuan se me mbarimin e vitit shkollor do të fillojnë punimet për sanimin e të gjitha problemeve me të cilat përballet shkolla jonë, sistem i ri i ngrohjes, dritare, tualetet dhe fasadim i jashtëm i shkollës sepse ka lagështi”, tha Naim Xhelili.

Nga ana tjetër një nga mësimdhënësit në këtë shkollë tha kishte disa probleme në mëngjes por që shumë shpejtë ndërhyri grupi i punës, ku edhe po instalohet ngrohja nëpër banjo.

“Mendojmë që kemi filluar me hapa të mbara por presim më shumë nga Komuna, presim sistemi i ngrohjes të rregullohet si duhet jo me ngrohje alternative, ndërrim të dritareve, izolim i shkollës sepse ka lagështi. Presim gjatë sezonit të pushimeve të rregullohen”, tha mësimdhënësi.

This slideshow requires JavaScript.

Ndërkaq, prindërit paralajmërojnë bojkot në shtator nëse në këtë shkollë nuk rregullohet sistemi i ngrohjes, ndërrimi i dritareve, tualetet dhe fasadimi i shkollës nga jashtë. Për këto, kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri premtoi se gjatë pushimeve verore do të investohet nga e para për sistemin e ngrohjes dhe ndërrimin e dritareve që vitin e ardhshëm shkollor të jenë gati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button