Këshilli ekonomik i Qeverisë do të diskutojë për pagën minimale, bisedimet vazhdojnë

Në mbledhjen e sotme të Këshillit ekonomik të Qeverisë pritet të diskutohet për gjithçka që është diskutuar deri më tani në lidhje me kërkesën sindikaliste për rritjen e pagës minimale, si dhe propozimin më të fundit të Konfederatës së biznesit për subvencionimin e një pjese të rritjes së pagës minimale. Pas kësaj duhet të mbahet seanca e re e Këshillit ekonomiko-social pas asaj të së premtes kur nuk u arrit marrëveshje, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se rritja e pagës minimale do të realizohet, dhe se pret që sot të ketë vendim për rritje të pagës minimale.

“Qeveria është në anën e punëtorëve – do të plotësohet rritja e pagës minimale. Dialogu i hapur social me të gjitha palët e interesuara është ajo që do të na çojë në zgjidhjen më të përshtatshme që është në interes të punëtorëve. Pres që nesër të kemi një vendim për rritjen e pagës minimale. Siç kam premtuar, ne do t’i zgjidhim efektivisht të gjitha çështjet në interes të qytetarëve dhe do t’i përmbushim premtimet. Ky është parimi dhe fryma në të cilën do të zgjidhen të gjitha çështjet që kanë për qëllim ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve”, shkroi Kovaçevski në Facebook.

Qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit të premten nuk arritën marrëveshje për ngritjen e pagës minimale në 18.000 denarë dhe rritje graduale të pagave tjera, por të gjithë partnerët social pajtohen se modeli ekzistues për harmonizimin e pagës minimale nuk është i pranueshëm për askënd.

Nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë edhe dje porositën Qeverinë që me vendosmëri të qëndrojë në anën e punëtorëve, të pranojë propozimin sindikal për pagë minimale prej 18.000 denarë dhe rritje graduale të pagave të tjera të votohet në Këshillin ekonomiko-social dhe mbështesin.

“LSM tashmë është në grevë për shkak të mungesës së dëgjimit nga punëdhënësit dhe propozim zgjidhjeve të turpshme që ata i bëjnë secilit KES për të blerë kohë që ne nuk e kemi!”, thuhet në komunikatën e LSM-së.

Përderisa edhe më tej nuk ka zgjidhje për pagën minimale, ata njoftuan se të enjten, më 10 shkurt, anëtarësia e tyre do të dalë në Kuvend që t’iu japë mbështetje deputetëve ta votojnë projektzgjidhjen ligjore të sindikatave, që është pika e 7-të në seancën plenare. Nëse edhe kjo nuk votohet, ata njoftuan për grevë me bllokada fabrikash, zona të lira ekonomike, institucione, rrugë etj.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi pas mbledhjes së fundit të Këshillit ekonomiko-social, Qeveria bëri të ditur se Konfederata e biznesit që përfaqëson ndërmarrjet mikro dhe të vogla propozoi që nëse pranohet cilado qoftë rritje e pagës minimale në një nivel të caktuar, e njëjta të mbështetet edhe nga Qeveria. Ata, siç thanë, kishin dy kërkesa – njëra ishte të mbështesnin rritje prej 50 përqind të pagës bruto ose të mbështesnin rritjen e pagës neto.

“Ne nuk ishim gati për kalkulimet, pasi për të gjitha modelet tjera që më heretë janë ofruar, nëmë simulime se ç’do të nënkuptonin. Të hënën kemi Këshillin ekonomik ku do të diskutojmë gjithçka që u diskutua këtë javë. Do të analizojmë se çfarë implikimesh fiskale mund të ketë propozimi për mbulimin e rritjes së pagës minimale”, tha Bytyqi, duke shtuar se qeveria mbetet e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme e cila mund të arrihet vetëm me konsensus mes të gjithë partnerëve social.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button