Pa qese plastike – Agjendë më e dukshme e gjelbër

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Malinka Ristevska Jordanova

Para pak kohësh u publikua informata se në Maqedoni, përdorimi i qeseve plastike të padegradueshme (në tregje) që në muajin e parë pas ndalimit të përdorimit, është ulur 4-10 herë, dhe të ardhurat e realizuara nga shitja e qeseve plastike janë 235.000 euro. Më në fund – ky është lajm i mirë.

Le të shohim së pari fotografinë e madhe – ku jemi në nivel evropian, por edhe në atë global. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të vitit 2020, dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së kanë futur në përdorim një formë rregulloreje për të kufizuar përdorimin e qeseve plastike. Këto janë ndalime të përdorimit, lloje të ndryshme taksash dhe tarifash ose kombinim i masave. Më të zakonshmet janë ndalimet për përdorim komercial, por ka edhe ndalime, si dhe taksa të veçanta për prodhimin dhe importin.

Shtetet që kanë vendosur ndalime ose masa të tjera për heqjen e qeseve plastike
Shtetet që kanë vendosur ndalime ose masa të tjera për heqjen e qeseve plastike

Edhe në Bashkimin Evropian ka qasje të ndryshme. Këtë e mundëson Direktiva për Qeset Plastike e vitit 2015 (me të cilën në fakt është ndryshuar Direktiva Kornizë për Mbetjet dhe Mbetjet e Paketimit të vitit 1994). Direktiva u jep vendeve anëtare një zgjedhje: ose të ndalojnë përdorimin e qeseve plastike, ose të marrin masa për të siguruar që çdo qytetar i vendit të tyre të konsumojë mesatarisht 90 qese në vit (deri në fund të 2019) ose 40 qese në vit (deri në fund të vitit 2025). Vlerësohet se në vitin 2018, çdo qytetar i BE-së ka konsumuar mesatarisht 200 qese plastike në vit. Studimi i Institutit Republikan në Maqedoni nga viti 2020 paraqet të dhëna se çdo qytetar i Maqedonisë ka konsumuar 2,15 qese në ditë, ose 785 qese në vit. Kjo do të thotë se në fillim ishim shumë mbi mesataren evropiane.

Vendet anëtare të BE-së janë detyruar që çdo vit të raportojnë për zbatimin e detyrimeve lidhur me qeset plastike sipas një metodologjie unike, ndërsa Komisioni Evropian duhet të vlerësojë efektivitetin e masave në një raport që ia dërgon Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian. Që të mund të bëhet krahasimi i efekteve të masave të miratuara, kemi nevojë për të dhëna që me të njëjtën metodologji do të mblidhen brenda një afati ë të gjatë.

Sipas Shoqatës për Menaxhimin e Rrjedhjeve të Veçanta të Mbeturinave, qeset plastike si vëllim dhe ndotës i dukshëm janë më të pranishmet, por si peshë përfaqësojnë vetëm 2-3% nga gjithsej 120.000 tonelata të ambalazhe në vit në Maqedoni. Prandaj, është e nevojshme të ngrihet çështja e masave për llojet e tjera të ambalazheve dhe sigurisht për problemin më të gjerë të mbetjeve në përgjithësi.

Ndërkohë, në vitin 2019, Bashkimi Evropian miratoi një direktivë të re për të reduktuar ndikimin e plastikës për një përdorim, duke ndaluar përdorimin e tamponëve prej pambuku, kompleteve për haje, pjatave, kashtës, mikserëve dhe shkopinjve të balonave dhe plastikës  oksodegradueshme, si dhe enëve për ushqim nga polistireni i zgjeruar (i njohur gjerësisht si paketim ushqimor me stiropor(shkumë deti)), kurse me masa të tjera janë përfshirë edhe produkte të tjera plastike. Shtetet anëtare të BE-së tashmë duhet ta zbatojnë këtë direktivë nga korriku i këtij viti.

Rezultatet e kërkimeve shkencore në shkallë globale paralajmërojnë probleme në zbatimin e ndalimit të qeseve plastike dhe në përgjithësi reduktimin e përdorimit të plastikës për një përdorim. Derisa në vendet e zhvilluara ato janë kryesisht për shkak të rezistencës së prodhuesve, në vendet në zhvillim janë sistemet joefikase të menaxhimit të mbetjeve, por edhe mungesa e fondeve për të stimuluar ekonominë cirkulare.

Fatkeqësisht, pikërisht këto janë problemet që Enti Shtetëror i revizionit i ka vënë në pah në raportin e tij nga auditimi për sukses në performancë të “Trajtimi dhe menaxhimi efikas i mbetjeve plastike” që është publikuar një vit më parë. Shqetësues është konstatimi themelor i këtij Raporti, sipas të cilit “politikat, masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet kompetente për ngritjen e sistemit të integruar për menaxhim të mbetjeve plastike nuk janë efektive dhe nuk mundësojnë shmangie dhe zvogëlim të sasisë së mbeturinave plastike të prodhuara, shfrytëzim efikas, futje të mjeteve dekurajuese për përdorimin e qeseve plastike dhe përpjekjet për heqjen e tyre nga përdorimi ishte vetëm një nga gjithsej 49 rekomandimet në këtë Raport.

Megjithëse duket se është vetëm maja e ajsbergut, ne kemi nevojë për të ndal përdorimin e qeseve plastike në punë, sepse ky do të ishte rezultat i dukshëm në lidhje me Agjendën e Gjelbër, me shpresë se do të jetë vetëm hyrje në një qasje shumë më serioze nga qasja e deritanishme ndaj menaxhimit të mbetjeve në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button