Petrov: Arsyeja për aksidentin e autobusit në Bullgari është gabim njerëzor

Hetimi për aksidentin e autobusit në autostradën Struma në Bullgari, në të cilin jetën e humbën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut ka përfunduar. Konkluzioni nga hetimi është se arsyeja e vetme është gabimi njerëzor i shoferit, ndërsa për shkak të mosekzistimit të sjelljes fajësuese, rasti thuajse me siguri do të mbyllet, deklaroi për BTV hetuesi i Shërbimit hetues kombëtar bullgar Mlladen Petrov, njofton Portalb.

Mlladen Petrov theksoi se vetëm sjellja e shoferit të autobusit është arsyeja për shkaktimin e gjendjes së tillë dhe aksidentit. Janë kontrolluar të gjithë supozimet për prezencë të lëndëve djegëse në autobus dhe qartë është konfirmuar se gjëra të tilla nuk ka pasur. Sipas hetuesit, hetimi ka konfirmuar se dukshmëria ka qenë e mirë dhe nuk ka pasur mjegull.

Ekipi bullgar i hetuesve, gjithashtu, e hodhi poshtë versionin se shenja në komunikacion ndoshta është arsye për aksidentin. Sipas Petrovit, shenjat horizontale në rrugë dhe shenjat sinjalizuese anësore kanë qenë të zbehura, por jo edhe të padukshme.

“Linja e mesme, qendrore që i ndan korsitë është tejet e ndritshme dhe gjithsesi e dukshme”, tha Petrov.

Në situatën konkrete, drejtimi i autobusit të “Besa Trans”-it nga korsia aktive dhe përplasja në gardhin mbrojtës ka sjellë depërtim dhe shkatërrim të elementeve konstruktive, presion në rezervuarin e karburantit dhe kompresion të përmbajtjes së tij.

“Kjo është shoqëruar me shkëndija të bollshme të fërkimit, e cila ka arritut temperaturën dhe presionin e nevojshëm për të ndezur karburantin”, tha hetuesi Mlladen Petrov.

Ai paralajmëroi se tani pritet kontrolli i mendimit të ekipit hetues, të cilin do ta bëjnë prokurorët.

“Duhet të përfshihen viktimat, familjarët e viktimave dhe udhëtarëve të mbijetuar. Mendimi ynë është se nuk ka sjellje fajësuese që është lidhje e arsyes për këtë rezultat”, potencoi Petrov, duke theksuar se hetimi me siguri do të ndërpritet.

Në aksidentin e autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari, që ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar, jetën e humbën 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata ktheheshin nga udhëtimi turistik nga Turqia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button