Drita Zeqiri: Ushtroni joga për një fizik dhe mendje të shëndoshë (VIDEO)

Joga është një disiplinë që i jep shumë përfitime trupit tonë, duke përfshirë këtu ndryshimet pozitive fizike dhe emocionale. Sot në rubrikën për të rinjtë CTRL Z të Portalb.mk flasim me Drita Zeqirin për jogën. Drita është 29-vjeçare dhe ka studiuar ekonominë në Universitetin e Evropës Juglindore. Ku më pas studimet master i vazhdoi në Lubjanë për Administrim Biznesi. Por, krahas karrierës së saj profesionale, Drita ka një lidhshmëri shumë të ngushtë me jogan.

“Unë nuk e kam pëlqyer disiplinën e jogas, e kam provuar disa herë, por nuk më pëlqente. Ndoshta ka qenë edhe fakti që kam provuar joga më të qeta dhe kjo më ka bërë që të mos e pëlqeja për arsye se jam si tip shumë energjike. Por, në periudhën e pandemisë, u mbyllën shumë studio për ushtrime dhe fitnes dhe i vetmi opsion që më mbeti ishte që të filloja ashtanga joga”, u shpreh Drita Zeqiri.

Kemi disa lloje të jogave dhe ajo varet prej dinamikës dhe fuqisë së trupit të njeriut dhe praktikës që ne zgjedhim ta ushtrojmë. Llojet e jogës që praktikohen më shumë janë: hatha joga, ashtanga joga, bikram joga, jin joga dhe shumë të tjera.

“Është e rëndësishme që në momentet kur fillon ushtrimet duhet të jesh komplet i përqendruar te vetvetja, te frymëmarrja jote dhe të jesh sa më i qetë që mundesh. Unë ushtroj ashtanga joga dhe është mjaft e shpejtë, ku në një frymëmarrje ke një lëvizje. Gjatë kësaj praktike jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duhet të jesh fizikisht i fortë dhe i qëndrueshëm, pasi që energjia e cila harxhohet gjatë frymëmarrjes e vështirëson praktikën.” tha Drita.

This slideshow requires JavaScript.

Koha e duhur për të ushtruar joga është mëngjesi, herët para se të konsumohet ushqim. Por, ky rregull nuk qëndron te çdokush. Ka njerëz të cilët e kanë të vështirë të ushtrojnë në mëngjes. E gjitha varet se në cilën periudhë të ditës kemi më shumë energji. Drita ushtrimet preferon t’i bëjë në mbrëmje.

“Përfitimet të cilat i ndjej nga ushtrimet e jogave është që trupin e kam më fleksibil, fle më mirë, me shpinën më nuk kam problem dhe më ndihmon shumë në gjendjen psikologjike. Prandaj, kur më pyesin se cilat janë përfitimet ju them se janë të shumta. Kjo është një ndër arsyet që jam aktive nëpër rrjetet sociale, që t’i shtyjë sa më shumë njerëz të merren me këtë disiplinë.” shtoi Drita.

Është e rëndësishme që ne të konsumojmë ushqime më të shëndetshme në momentin kur nisim të ushtrojmë joga, duke i përfshirë këtu drithërat. Jo çdo ushqim që ka më shumë kalori, të jep më shumë energji. Ushqimet më të lehta e bëjnë më të lehtë edhe praktikën e jogës. Ushqimi duhet të konsumohet tri orë para se të nisen ushtrimet, me atë që gjysmë ore para praktikës nuk guxon të pihet as ujë.

Mesazhi që Drita përcolli për të gjithë të rinjtë është:

“Ju kisha sugjeruar që të nisni me joga. Nëse jo me joga, i inkurajoj të gjithë të rinjtë që të merren me sport. Është shumë e rëndë deri në momentin sa fillon me ushtrime, por, pas ushtrimeve e ndjen gjithë përfitimet që mund t’i ketë një sport. Ndjenja është e papërshkruar, tre muajt e para mund të jenë të vështira, më pas e gjitha bëhet stil jete.” përmbylli Drita Zeqiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button