Kuvendi i Malit të Zi votoi për mosbesimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiqit

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi mbrëmë vonë votuan mosbesimin e qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, raporton Anadolu Agency (AA).

Në votim morën pjesë 54 deputetë. Mosbesimin e qeverisë e kanë votuar 43 deputetë të opozitës dhe të koalicionit Bardh e Zi, ndërsa kundër ishin 11 deputetë.

Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare.

Kjo është hera e parë që Qeverisë së Malit të Zi i votohet mosbesimi në parlament.

Në fillim të diskutimit, deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, në emër të propozuesit deklaroi se qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiç e ka arritur kufirin dhe se kriza politike në të cilën gjendet Mali i Zi kërkon vendime të vështira.

“Ky vendim është i vështirë dhe ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për të”, tha Konatar.

Në fjalën e tij përmbyllëse, ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, pasi siç tha ai, sot në Mal të Zi nuk po ndodh asnjë apokalips.

“Nuk po ndodh asgjë që nuk ndodh në vendet normale evropiane. Ne kemi votuar, kemi luftuar që ndryshimi i çdo qeverie të jetë një gjë normale”, shtoi Konatar.

Sipas tij, çdo qeveri e ardhshme duhet të mësojë nga gabimet e kësaj qeverie dhe gjithçka që ka bërë mirë të vazhdojë dhe të përmirësojë.

“Pothuajse të gjithë deputetët deklaruan në diskutimet e tyre se qeveria e 42-të ka arritur kufirin dhe është përplasur në mur dhe se na duhet një zgjidhje e re”, tha Konatar.

Ai tha gjithashtu se Lëvizja Qytetare URA doli me një propozim për formimin e një qeverie të re evropiane pikërisht për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

“Ne duam të pajtojmë Malin e Zi. Nuk duhet të pajtohemi me ndarje. Dua të besoj se të gjithë mund të ndryshojnë për mirë. Dua të shikojmë nga e ardhmja, jo të qëndrojmë në të shkuarën”, tha Konatar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button