Bekteshi – Donmez: Memorandumi i bashkëpunimit do të rrisë bashkëpunimin energjetik mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës që do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, këmbimin e përvojave dhe mbështetjes në fushën e gazifikimit të vendit. Këtë e kanë dakorduar ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kolegu i tij, ministri i Energjetikës i Turqisë, Fatih Donmez në takimin bilateral në kuadër të Takimit të tetë ministror të këshillit këshilldhënës për Korridorin jugor të gazit i cili u mbajt në Baku, Azerbejxhan, njofton Portalb.

Në takimin në të cilin ka marrë pjesë edhe drejtori i “Resurseve energjetike kombëtare” SHA Bajram Rexhepi, të dy ministrat kanë biseduar për drejtimet e mundshme në sferën e energjetikës duke i marrë parasysh lëvizjet e politikave energjetike në korniza botërore dhe evropiane, si dhe krizën energjetike.

“Ministri informoi se dy kompani turke janë në konkurrencë për përzgjedhje të firmës e cila përmes rrugës së partneritetit publiko-privat do ta ndërtojë rrjetin distributiv gazsjellës në shtet. Procesi është në fazën e fundit dhe deri në fund të vitit duhet të zgjidhet kompania. Të dy ministrat u dakorduan se Turqia dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm tradicional në planin energjetik dhe shfaqën shpresë se në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet”, informuan nga Ministria e Ekonomisë.

Në kuadër të Takimit ministror në Baku, Bekteshi realizoi takim joformal edhe me ministrin e Energjetikës të Republikës së Bullgarisë, Aleksandar Nikollov. Me të kanë këmbyer mendim për realizim të projekteve të përbashkëta energjetike, para së gjithash, për lidhje interkonektive me gaz të Petriçit dhe Strumicës, si pjesë e prpcesit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve fqinje.

Bekteshi në Baku kishte edhe takim joformal me komisarin evropian për energjetikë Kadri Simson me të cilin kanë biseduar për planet dhe investimet për zhvillim të sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut, para së gjithash për investime për lidhje me gaz në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button