Kryeministri i Maqedonisë së Veriut përfundoi vizitën dyditore në Bruksel

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij dyditore të punës në institucionet e Bashkimit Evropian (BE), sot në Bruksel ka takuar presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski në takimin me kreun e Këshillit Evropian tha se qeveria e tij e re ka qëndruar e fokusuar në fushat kyçe reformuese për evropianizimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik, energjisë, klimës dhe tranzicionit digjital, si dhe në promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.

Gjatë bisedës, Kovaçevski dhe Michel gjithashtu ndanë qëndrim të përbashkët se qeveritë e Shkupit dhe Sofjes janë të gatshme të dyfishojnë përpjekjet e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe se në këtë drejtim angazhimi i institucioneve evropiane për të ndihmuar zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritet të ndikojë pozitivisht në dinamikën e reformave në Ballkanin Perëndimor.

– Fillimi sa më parë i procesit të negociatave për Maqedoninë e Veriut do të jetë një shtysë pozitive për dinamikën e reformave

Kovaçevski sot takoi edhe presidentin e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku theksoi se në periudhën e ardhshme, gjatë presidencës franceze me BE-në, një nga pritjet kryesore është angazhimi i intensifikuar i Komisionit Evropian për të ndihmuar në zhbllokimin e procesit të zgjerimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në këtë drejtim, Kovaçevski vlerësoi si inkurajuese organizimin e shpejtë të vizitës së tij të punës në Bruksel, për shkak të mundësisë që zyrtarët më të lartë të BE-së të njihen me rezultatet e agjendës intensive të dialogut midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Në takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Kovaçevski tha se në të dy takimet zyrtare të punës në Shkup dhe Sofje është arritur marrëveshje për avancimin e bashkëpunimit dypalësh me krijimin e pesë grupeve punuese.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ka një rëndësi të madhe që sa më parë të fillojë procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të ruhet dinamika e reformave.

– Brukseli konfirmon qëndrimin për fillimin pa vonesë të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE-në

Pas takimeve me përfaqësuesit e lartë të BE-së, Kovaçevski Michel dhe von der Leyen u adresuan në një konferencë për media.

Kryeministri Kovaçevski tha se liderët e institucioneve të BE-së unanimisht mbështesin mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për hapjen e kapitujve pa vonesë.

Ndër të tjera, ai theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen evropiane dhe se ajo është e ardhmja e vlerave më të larta demokratike, e agjendës së gjelbër, burimeve të ripërtëritjes së energjisë, digjitalizimit dhe rrugës që krijon parashikueshmëri dhe hapësirë për zhvillim për të rinjtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button