Në RMV po qarkullojnë bankënota të falsifikuara prej 2.000 denarëve, BPRM tregon se si të dallohen (FOTO)

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRM) informon se në vend po qarkullojnë bankënota të falsifikuara me vlerë prej 2.000 denarëve, për çka është e njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme për marrjen e aktiviteteve përkatëse. Me qëllim që të mbrohen qytetarët dhe personat juridik, BPRM tregon mënyrën se si me lehtësi të dallohen bankënotat nëse janë të falsifikuara apo origjinal, njofton Portalb.mk.

Bankënota e falsifikuar është e përpunuar nga letra e thjeshtë (komerciale) me dy shtresa, e cila gjatë prekjes, ndjeshëm dallohet në trashësinë, fortësinë dhe elasticitetin në krahasim me letrën origjinale me të cilën janë përpunuar bankënotat. Përveç kësaj, bankënotat origjinale përmbajnë elemente mbrojtëse të sofistikuara, nëpërmjet të cilave, qytetarët lehtë mund ta njohin autenticitetin e tyre.

Bankënota e falsifikuar mundet lehtë të njihet nëse shihet me kujdes elementi bazik mbrojtës, i cili është i shtypur me ngjyrë të ndryshueshme optike, e cila ndodhet në pjesën e përparme të bankënotës. Ky element te bankënota e falsifikuar, fare nuk e ndryshon ngjyrën, kur ta lëvizini bankënotën. Për dallim, nëse bankënotën origjinale e lëvizni në një kënd tjetër, mund të shihet se si ndryshon ngjyra e saj e gjelbër në të kaltër dhe në element paraqitet një unazë e ndritshme, e cila simulon efekt  të lëvizjes, siç shihet në fotografinë e radhës:

Dallimi mund të vërehet edhe te filli mbrojtës, i cili është vendosur në mes dy shtresave të letrës me prerje të dukshme dhe gjatë lëvizjes së bankënotës krijon përshtypje të rrejshme të ndryshimit të pjesshëm të ngjyrave. Më poshtë mund të shihet se si është e imituar kjo pjesë në bankënotat e falsifikuara:

Gjithashtu, bankënotat e falsifikuara mund të njihen edhe në vulën e ujit. Te bankënotat e falsifikuara është imituar motivi bazë me nuancë të verdhë dhe hiri dhe është i dukshëm. Për dallim, ky motiv te bankënotat origjinale duket, vetëm nëse bankënotën e ekspozojmë në dritë:

Të gjitha informatat lidhur me karakteristikat mbrojtëse të bankënotave me vlerë prej 2.000 denarëve mund të shihni në video-prezantimin në ueb-faqen e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.

“Nëse shihni bankënote të falsifikuar, duhet të paraqiteni deri te bankat ose Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët më tej do të veprojnë në pajtueshmëri me kompetencat e tyre”, informojnë nga BPRM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button