BDI: Vendimi për Çairin skenarë i aleancave të vjetra VMRO – PDSH

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur keqardhje për vendimin politik të KSHZ-së për inspektimin dhe verifikimin e materialit votues për komunën e Çairit dhe për këtë, kjo parti e akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe PDSH-në. 

“Në emër të BDI-së, shpreh keqardhje për vendimin politik të KSHZ-së. Ky vendim ringjalli aleancat e vjetra strategjike të cilat dalin në sipërfaqe gjithmonë kur duhet të dëmtohen shqiptarët. Mbrëmë, të gjithë qytetarët ishin dëshmitar të një bashkëpunimi joparimor ku interesat politike për Strumicën u thyen mbi vullnetin politik të shqiptarëve në Çair. Edhe përkrah kësaj, KSHZ konstatoi që nuk ka pas parregullsi në ditën e zgjedhjeve dhe në procesin zgjedhor e as falsifikim, por vetëm lëshime administrative dhe statistikore të cilat ndikojnë në cenzusin e nevojshëm për fitore në rrethin e parë dhe jo në fitoren e pakontestueshme të Izet Mexhitit”, theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Sipas tij, vendimi i mbrëmshëm nuk e ndihmon as PDSH-në e as VMRO-në në Çair, por është vetëm një pazar joparimor i radhës midis PDSH-së dhe VMRO DPMNE-së për ta relativizuar fitoren e madhe të BDI-së, përfshirë edhe Kërçovën të cilës iu gëzuan të gjithë shqiptarët. 

“Vendimet politike asnjëherë s’kanë arritur të ndryshojnë vullnetin politik të qytetarëve andaj, kjo do të dëshmohet më 7 prill në Çair . Edhe me këtë vendim, Komisioni Shtetëror Zgjedhor konfirmoi që Izet Mexhiti është fituesi absolut me mbi 15.000 vota, tani mbetet vetëm dilema se kush do të jetë kundërkandidati që do të humb në rreth të dytë në Çair, VMRO apo PDSH duke marrë parasysh se të dyja këto parti kanë përafërsisht vota të njëjta, 3 herë më pak se BDI”, theksoi Bujar Osmani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button